Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, ka akuzuar komunën se po keqmenaxhon me paranë publike, derisa ka asfaltuar disa rrugë dhe rrugica në fshatin Sllovi e Gadime.
Sipas PDK-së, komuna ka asfaltuar madje edhe një rrugë të ndarë me mur të lartë në mes. Nëpërmjet një komunikate të enjten, ky subjekt ka bërë me dije se në fshatin Sllovi dhe Gadime po diskriminohen banorët, derisa lagjet më të mëdha nuk kanë përfituar asfaltim të rrugëve.
Ky subjekt ka kërkuar sqarime nga komuna nëse këto rrugë janë prona publike apo private, derisa janë asfaltuar me paratë e taksapaguesve.
“Si është e mundur, që një vartës i këtij kryetari në fshatin Sllovi të sillej si sundimtar, duke ofenduar të gjithë banorët e fshatit, duke asfaltuar rrugët vetëm për familjen dhe militantët e tij. Dyshimet janë se ky person të cilit do t’ia publikojmë identitetin në të ardhmen, vendos që edhe kopshti i premtuar para disa viteve të dërgohet afër shtëpisë së tij”, thuhet më tej në komunikatë.