Numri i grabitjeve të armatosura në Kosovë është në rritje, vetëm brenda këtij viti deri në tetor janë regjistruar 138 raste të grabitjeve, derisa në vitin 2020 janë regjistruar 148 raste, shkruan Gazeta Botapress.
Vetëm brenda kësaj jave kanë ndodhur tri grabitje të armatosura në Kosovë, një Prizren, një në Prishtinë dhe një në rrugën Prishtinë-Gjilan.Në Prizren ndodhi një tentim grabitje në një argjendari, ku edhe u plagosën pronarët e dyqanit, babë e bir.
Në Prishtinë u grabit një market nën kërcënimin e armëve. Ndërsa në rrugën Prishtinë-Gjilan, një veturë kombi e një kompanie sigurimi që po transportonte para, u grabit nga disa persona nën kërcënimin e armëve.
Lidhur me këtë situatë në Kosovë, Metro ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës, për të parë se sa ka qenë numri i grabitjeve brenda këtij viti dhe në 3 vitet tjera.
Policia në përgjigjet që i ka dërguar Metros, ka bërë të ditur se vetëm brenda këtij viti deri në tetor janë regjistruar 138 raste të grabitjeve.
Në vitin 2020 janë evidentuar 148 raste, kështu duke parë numrin e rasteve të këtij viti për 10 muaj, shihet se numri i grabitjeve do të jetë më i lartë këtë vit se vitin e kaluar.
Më poshtë keni statistikat e grabitjeve që kanë ndodhur në Kosovë, këtë vit dhe vitet 2020, 2019 dhe 2018:
Në vitin 2018, janë evidentuar 297 raste.
Në vitin 2019, janë evidentuar 171 raste.
Në vitin 2020 janë evidentuar 148 raste.
Janar – Tetor 2021 janë raportuar 138 raste. /Botapress.info.