[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Rreth 700 të burgosur i shkruajnë Presidentit, kërkojnë t’i falë në përvjetorin e Pavarësisë



Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ende nuk ka vendosur që në mandatin e tij të parë si kreu i shtetit të falë të burgosurit me rastin e festës së Pavarësisë.

Pavarësisht se afro 700 të burgosur kanë kërkuar të falen, një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë, veçanërisht më 17 shkurt, ditën historike të vendit, shkruan Gazeta Express.

Megjithatë, për këtë qëllim i pari i vendit ka krijuar një Komision i cili do t’i shqyrtojë të gjitha kërkesa drejtuar atij.

Këtë e ka konfirmuar për GazetënExpress Besim Kajtazi nga zyra Ligjore e Presidencës.
Ai bëri të ditur se presidenti Hashim Thaçi e ka krijuar një Komision i cili do të merret me kërkesat e të burgosurve dhe siç vlerëson ai, pas kësaj jepen edhe rekomandimet nga kreu i shtetit.

“Presidenti e ka formuar komision ad-hoc sipas ligjit dhe rregullores që është e paraparë. Ky komision bën vlerësimin e kërkesave.Komisioni e ka filluar punën por janë një numër tepër i madh i kërkesave, e të cilat janë diku mbi 700”, tha Kajtazi

Madje ai u shpreh i bindur se falja e të burgosurve nuk mund të ndodhë pas dy ditësh, kur edhe është shënohet përvejtori i Ditës së Pavarësisë.

“Kur të përfundon komisioni punën dalin me rekomandim të presidentit dhe pastaj varet se si vendos presidenti. Për shkak të numrit të madh të kërkesave deri më të 17-tin Komisioni nuk mundet me arrit t’i shqyrtojë krejt këto kërkesa”, sqaroi ai për Gazetën Express.

Falja e të burgosurve e cila nisi si praktikë në vitin 2009 nga ish-Presidenti Fatmir Sejdiu në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës vazhdoi edhe më pas nga Presidentja Atifete Jahjaga. Por kjo e fundit fali të burgosurit vetëm në vitin 2014, ndërkaq një veprim të tillë nuk e bëri më 2015 dhe 2016.

Mirëpo në lidhje me këtë praktikë të faljes së të burgosurve, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për Gazetën Express se falja Presidenciale nuk është e drejtë e të dënuarve, por e drejtë ekzekutive dhe diskrecionale e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili siç sqaron ai, mund ta ushtroj atë sipas vullnetit të tij në përputhje me Ligjin për Falje.

“Kushtetuta dhe Ligji për Falje nuk kufizohet në data dhe në numër të të dënuarve, por ushtrohet sa herë që vetë Presidenti vendos të shpreh mëshirën e tij për të dënuarit që kanë dëshmuar sjellje të mirë dhe kanë plotësuar kriteret ligjore për tu falur. Keqpërdorimi i institutit të Faljes Presidenciale në të kaluarën nga Presidentët e kaluar besoj se ka ndikuar në rënien drastike të faljes së të dënuarve në vitet e fundit. Megjithatë, konsideroj se Presidenti duhet të shpreh mëshirën për të gjithë ata të dënuar që kanë dëshmuar sjellje të mira dhe që plotësojnë kriteret e ligjit për t’i falur. Kjo është një mundësi e mirë të shpërblehen sjelljet e mira të të dënuarve”, tha Musliu.

Për më tepër Betim Musliu nga IKD, vlerëson se në kontekst të realizimit të të drejtave të të dënuarve, Kuvendi i Republikës së Kosovës, duhet të shqyrtojë mundësinë e shpalljes së ndonjë amnistie për të dënuarit për vepra të caktuara penale, për të cilat paraprakisht do të bëhet një analizë e thellë në përputhje me praktikat e shpalljes së amnistisë sikurse në vendet më demokratike.

“Kjo do të ndikonte tek të gjithë ata të dënuar që kanë sjellje të mira që edhe më tutje të përmirësohen me qëllimin që sa më parë të arrihet risocializimi i tyre për t’iu kthyer të gatshëm shoqërisë.

Pavarësisht pse nuk jemi pajtuar edhe me numrin e vogël të faljeve nga Presidentja Jahjaga, konsideroj se Presidenti Thaçi duhet të ketë kujdes në shqyrtimin e kërkesave për në mënyrë që të respektohet ligji dhe mos të futet Kosova në listën e zezë për keqpërdorim të këtij institute”, shtoi Musliu.

Falja e të burgosurve zakonisht bëhet në ditë festash, pavarësisht se është kërkuar që një veprim i tillë të mos bazohet në numra dhe data. Ish presidenti Fatmir Sejdiu pati falur 62 të burgosur./GazetaExpress/