[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Rrëfimi i shqiptares së prekur nga kanceri: Paratë nuk janë gjithçka, mua më mundon…



Ajshe Krasniqi është një 42-vjeçare nga Prishtina. Deri para pak kohësh, ajo nuk e kishte menduar asnjëherë që sfida më e madhe e jetës së saj do të ishte kanceri. Për gruan në moshë mesatare, gjithçka kishte filluar nga një kontroll i vetëm e që kishte rezultuar më atë të papriturën tronditëse. Ishte diagnostifikuar me kancer, sëmundjen që të ngjeth mishtë kur e dëgjon, si një pikëtakim me vetë vdekjen.
Dhe kur është fjala për sëmundje të tilla, flama vetë, është dhe ekonomia, xhepi, ai që jep sinjalin e alarmit.
Ajshja, nënë e pesë fëmijëve, vuante shumë edhe nga gjendja e rëndë ekonomike dhe në momentin që është prezantuar më sëmundjen e ligë, çasti më i rëndë në jetën e saj, e ka përjetuar akoma dhe më fort atë që zakonisht thuhet me fjalë, se shëndeti vlen më shumë se gjithçka, e se varfëria ekonomike është gjithsesi diç më e lehtë se një shëndet i rrënuar.
“Kur ta kesh shëndetin mirë, i ke të gjitha, por kur shëndeti mungon, atëherë jeta është më e rënduar në çdo aspekt”, thotë ndër të tjera kjo grua, kjo nënë, e cila tash e dy vite ndjek pothuajse çdo ditë terapitë e ndryshme dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon tek Instituti Onkologjik, kthyer në një shtëpi prej halli për të, ku askujt nuk do ia uronte si strehë, për asnjë çast të vetëm sa është në jetë.
Kosova renditet ndër vendet më një rritje të shpejtë të të prekurve nga kanceri; por ende nuk ka arritur të bëjë më të mirën e mundshme për trajtimin e kësaj sëmundjeje, parandalimin dhe kurimin, gjë që i detyron shumë persona të prekur ta kërkojnë shërimin e mundshëm në vende të ndryshme të Evropës.

Ndërkohë, për Ajshen dhe të prekurit e tjerë nga kanceri, sfida më e madhe mbete sigurimi i financave për t’u kuruar, sepse shpresa nuk shuhet për asnjë çast. “Përveç sëmundjes problem mbetet edhe sigurimi i parave për terapi, edhe pse operacioni nuk më ka kushtuar shumë. Kimioterapia po më mundon shumë dhe vazhdon të më mundojë”, thotë Ajshja, të cilës vazhdon t’i kërcënohet jeta çdo ditë e më shumë. Ajo si edhe shumë gra të tjera ka pasur edhe pasoja të tjera nga sëmundja. Momentalisht mban në kokë një shami me të cilën mbulon rënien e flokëve, po aq e dhimbshme për të. Aktualisht ajo jeton me bashkëshortin dhe pesë femijët, për të cilët thotë se janë arsyeja e luftës së saj kundër kancerit.
Mbështetje e përhershme ndaj personave me kancer vazhdon të mbetet edhe qendra Jeta/Vita e cila qëndron përkrah grave të prekura nga sëmundje. Qendra u themelua kohë më parë nga Nafije Latifi, e cila edhe vetë kishte qenë e prekur nga tentakulat e saj. Qendra e saj punoi shumë për vetëdijësimin e grave për të zhvilluar konsulta mjekësore ose kontroll me qëllim të zbulimit herët të shenjave të kancerit. Gjithashtu, ajo mban ligjërata nëpër komuna të ndryshme me mjekë dhe ekspertë në këtë fushë.
Sipas të dhënave të fundit në Kosovë numri i të prekurve nga kanceri vazhdon të jetë në rritje. Aktualisht, statistikat tregojnë se vetëm gjatë vitit 2015, në Kosovë kishte rreth 900 raste të, kurse gjatë vitit 2016-të janë regjistruar 1238 raste./tesheshi