Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters ka raportuar për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Liridon Rexhepi nga agjencia turke e inteligjencës në Stamboll.
Turqia arrestoi një shtetas kosovar të akuzuar për menaxhimin e rrjetit financiar të agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad në vend, tha të martën agjencia turke e inteligjencës.
Reuters shkruan se Liridon Rexhepi u arrestua në Stamboll më 30 gusht, i dyshuar për transferimin e fondeve për personelin e Mossadit që vepron në Turqi, sipas agjencisë turke e inteligjencës, MIT.
Turqia, e cila e ka denoncuar Izraelin për luftën kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, i ka arrestuar këtë vit më shumë se 20 persona të dyshuar për lidhje me Mossadid. Për lajmin u raportua edhe në Izrael. Media si Jerusalem Post shkruan për arrestimin.
Rexhepi ishte nën vëzhgim që nga hyrja e tij në Turqi më 25 gusht, thuhet në deklaratën e MIT. Ai supozohet se i ka lehtësuar transfertat financiare nga vendet e Europës Lindore, kryesisht Kosova, te agjentët e Mossad-it në Turqi.
Në deklaratë thuhet se fondet e transferuara nga Rexhepi janë përdorur për mbledhjen e inteligjencës në Siri, kryerjen e operacioneve psikologjike kundër palestinezëve dhe koordinimin e operacioneve të lidhura me dronët.