Ditët e fundit numri i rasteve me Covid-19 po njeh rënie të lehtë në vendin tone. Kjo po shihet edhe në shifrat e publikuara çdo ditë nga Ministria e Shëndetësisë sipas raportit të IKSHPK-së.Se ka ulje të lehtë të rasteve e ka konfirmaur edhe UD. i drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj.
Vishaj ka dhënë edhe gjendjen e të infektuarve me Covid gjatë 24 orëve të fundit në Klinikën Infektive dhe Mjekimin Intensiv të kësaj klinike. Pas rënies së rasteve me Covid në vendin tonë, nga gastronomët është kërkuar lirim i masave për të rifilluar punën.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, përmes një shkrimi në Facebook ka kërkuar që t’u lejohet të punohet me persona të vaksinuar“Nëse dikush osht vaksinu edhe e ka kry obligimin e vet shëndetësor çka po dallon prej dikujt që su vaksinu: Kurgjo ?Kshtu që urgjentisht t’na lojnë me funksionu edhe mbrenda lokaleve me persona të vaksinum” ka shkruar Kllokoqi.Se a mundet të ketë lirim të masave kufizuese pas rënies së rasteve me Covid, ka folur edhe infektologu Hamdi Ramadani.
Ramadani ka thënë se edhe një javë duhet të shihet se si shkon situata me Covid-19 dhe pastaj të analizohet sa i përket relaksimit të masave.“Për fat të mirë ditët e fundit numri i rasteve pozitive me Covid-19 është më i ulët. Vendi ynë ka filluar të kalojë në një fazë të rënies dhe zvogëlimit të rasteve të të sëmurëve me Delta Covid pozitiv.
Të gjitha këto masa që janë marrë nga institucionet kanë qenë në favor të ndaljes, të kufizimit të pandemisë, dhe për fat të dhënat po shkojnë në drejtim të mirë. Por është fatkeqësi që numri i të sëmurve në forma të rënda por edhe me vdekshmëri e kemi ende të lartë, dje ishin 24 viktima ose raste që e kishin humbur betejën me Coronavirusin.
Por po shpresojmë që nëse vazhdon edhe në shtatë ditët e ardhshme në këtë mënyrë atëherë mund të mendojmë që situatën me Covid-19 e kemi më të mirë. Sa i përket masave kufizuese mbetet që të shihet edhe pak për shkak se duhet që shifra të bjerë nën 100 sa i përket numrit të infektuarve.
Kemi raste aktive mbi 15 mijë, ende është numër i lartë i të sëmurve prandaj mendoj se edhe disa ditë institucionet përkatëse duhet ta analizojnë situatën me kujdes maksimal që mos të ndodhë si në qershor dhe korrik .“Ende nuk mendoj se duhet të nxitohemi, për shkak se jemi në një situatë më të mirë pasi numrin e të infektuarve e kemi dukshëm më të ulët krahasuar me numrin mbi 2000 mbi 1000 tash kemi ra në shifrën nën 350 dhe dukshëm duhet me e rujt këtë numër që të shkojmë nën 100. Duhet të shikohet me kujdes situata dhe brenda 5 ose 7 ditëve atëherë të dilet me një konstatim. Por masat e përgjithshme janë masa fondamentale që nuk duhet të mendojmë të hiqen si maska, distanca dhe higjiena . Por masat e tjera shtrënguese si ora policore mbetet në shtatë ditët në vijim se si do të shkojë ecuria me Covid për të vendosur më tej” tha Ramadani .
Në total numri i rasteve aktive me Covid-19 në Kosovë 14 mije 502 raste.Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën nga Covid, 12 persona si dhe kanë rezultuar pozitivë 410 të tjerë./Botapress.info/