Një gjykatëse federale në Shtetet e Bashkuara vendosi që komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton trazirat e 6 janarit në Kongres, mund të ketë qasje në disa nga të dhënat e Shtëpisë së Bardhë të kohës së ish-presidentit Donald Trump.
Trump ka argumentuar se materialet i mbulon privilegji ekzekutiv, i cili mbron konfidencialitetin e disa komunikimeve të Shtëpisë së Bardhë.
Hetimet e komitetit po përpiqen të zbulojnë nëse Trump ka pasur njohuri paraprake për trazirat.
Më 6 janar, qindra mbështetës të tij kanë sulmuar ndërtesën e Kongresit, në përpjekje për të penguar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit 2020, në të cilat kandidati demokrat, Joe Biden, ka dalë fitues.
Trazirat kanë lënë pesë persona të vdekur, përfshirë një zyrtar të policisë.
Kongresi, megjithatë, ka arritur ta certifkojë rezultatin zgjedhor dhe Biden e ka marrë detyrën e presidentit në muajin janar.
Së paku 535 protestues janë arrestuar, por, deri më tani, janë shqiptuar vetëm disa dënime.
Komiteti i Përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve dëshiron të shohë disa të dhëna telefonike, regjistra të vizitorëve dhe dokumente të tjera të Shtëpisë së Bardhë, që mund të hedhin dritë mbi ngjarjet e asaj dite.
Por, gjykatësja Tanya Chutkan konstatoi se Arkivi Kombëtar – agjencia federale që mban të dhënat e Shtëpisë së Bardhë të Trumpit – duhet të përmbushë kërkesën e panelit.
Chutkan tha se kërkesa e Trumpit për urdhër paraprak gjyqësor duket se mbështetet “në nocionin se pushteti i tij ekzekutiv ekziston deri në përjetësi”.
Sipas saj, presidenti Joe Biden ka autoritetin për të hequr privilegjin ekzekutiv mbi dokumentet, pavarësisht pohimeve ndryshe të Trumpit.