Ndonëse kemi hyrë në muajin e gjashtë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ende nuk e ka alokuar buxhetin për investime kapitale për Komunën e Malishevës dhe kjo vonesë, është duke shkaktuar probleme të shumta në realizimin e projekteve të planifikuara për këtë vit. Kështu është bërë e ditur sot në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve në Komunën e Malishevës, e cila është drejtuar nga nënkryetari i komunës, Hajdin Berisha.
Gjatë raportimit të tij, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, ka bërë të ditur se MF ende nuk e ka alokuar buxhetin për investime për Komunën e Malishevës. Sipas tij, kjo çështje ka mbetur vetëm tek ministri, por i njëjti, përveç që nuk e ka miratuar ende alokimin e mjeteve, nuk ju ka dhënë asnjë përgjigje. “Mos alokimi i mjeteve, është duke na dëmtuar rëndë si komunë, pasi çdo vonesë përcillet me mosrealizim të planifikimeve për investime kapitale, sepse nuk mund të realizohet asnjë procedurë e prokurimit, pa i pasur mjetet”, ka thënë drejtori Mazreku.
Edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit, Ahmet Morina, e ka shfaqur të njëjtin problem, pasi pa mjete nuk po mund të zhvillohet asnjë procedurë dhe rrjedhimisht, ende nuk është filluar me realizimin e projekteve sipas planifikimeve për këtë vit.
Përndryshe në mbledhjen e sotme të qeverisë komunale, është diskutuar edhe për përgatitjet për shënimin e 16 Qershorit-Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës.
Bazuar në raportimet e drejtorive, muaji maj është përmbyllur me shumë suksese në fushën sportit, ku ekipet nga Komuna e Malishevës, kanë treguar rezultate të mira. Po ashtu u bë e ditur se edhe vaksinimi kundër covid-19 është duke shkuar mirë, ndërsa situata me covid-19 është e qetë dhe e menaxhueshme, e po ashtu është duke u realizuar edhe fushata e dezinsektimit kundër rriqrave, si masë parandaluese në luftimin dhe parandalimin e EHKK, thuhet në reagimin e Zyrës për informim të Komunës së Malishevës, përcjellë Botapress.