Shqiptarët emigrimin e perceptuan ndryshe nga popujt e Evropës Perëndimore. Ata nuk u larguan që të tjetërsohen, por të kthehen përsëri në vendlindje. Madje kjo qasje një pjesë e ka penguar gjithnjë në një integrim të mirëfilltë në vendet pritëse. Perëndimoret të cilët emigruan në SHBA, Kanada, Australi,… ishin përgatitur që në start të asimilohen.
Dhe, përsëri ndryshe nga emigrantët Spanjoll, Italian, Grek, Portugez, të cilët pas një periudhe, shumica u riatdhesuan në vendin e origjinës. Stërzgjatja e riatdhesimit i ka shtyrë shqiptarët pa vetëdije në një proces të rrezikshëm, i cili nuk ka kthim prapa. Nga tash mund të themi se mërgata e Kosovës lirisht mund të cilësohet edhe si “kurban” i shtetit të ri, pasi shumica prej tyre kurrë më s’do të kthehen në vendlindje, edhe pse ata vazhdimisht dhanë gjithçka për të mirën e vendit.
Studimi i zonjave Qershina dhe Zufall zbulon se, plotë emigrant shqiptarë nga gjenerata e parë, gjatë bisedave kanë treguar sesi ata pa vetëdije e kanë pranuar asimilimin kulturor. Interesant ishte fakti se nga emigrantët e rinj kemi dëgjuar ankesa të shumta ndaj vendit pritës, për ushqimin e dobët, për klimën dhe për adaptimin në rrethin ku jeton. Pastaj, disa e mendojnë seriozisht sesi ne jemi një popull më i zgjuar se gjermanët, por vetëm kapitali dhe makineria i bën ata të fuqishëm,…etj. Mirëpo, ata që kishin një bagazh më të gjatë qëndrimi kishin një mendim krejt të kundërt. Kjo tregon se me kalimin e kohës pas 10 viteve këto mendime ndryshojnë pothuajse 100% tek secili emigrant, sepse tash ai e vështron të ardhmen e tij nga një kënd tjetër. Por, nëse ndonjëri pyetej se a frikësoheshin nga asimilimi, askush nuk dëshironte të fliste, meqë thoshin se kjo ishte një temë e vështirë për diskutim. Megjithatë shumicën e të intervistuarve e tradhtonin ndjenjat. Ata shfaqnin mërzinë, pasi e kishin të qartë se identiteti shqiptarë në familje përfundonte pikërisht tek ai.
Asimilim në heshtje dhe pa vetëdije!
Përvoja nga studimi tregon se sinjalet e para të ndryshimit mund të vërehen pas disa viteve, kur shqiptarët në mërgim fillojnë të flasin fjalë të mira për vendasit. Ju ka rastisë shpeshherë t’i dëgjoni këto fjalë: ”Gjermanët janë të sinqertë, punëtorë dhe të drejtë!”, “Shqiptarët janë gënjeshtar dhe mashtrues!”, “E kam shefin shumë të mirë, marr pagën, pushimin dhe të gjitha benifitet sipas ligjit, bile shpeshherë edhe më shumë!”, “Shqiptari ta merr shpirtin në punë, pagën ta vonon!”, “Gjermanët janë popull për lakmi, e duan dhe respektojnë vendin e vet!”, ”Shqiptarët janë të korruptuar dhe kriminel!” Ose kemi edhe rastet kur personave të suksesshëm, nga komuniteti i tyre ju bëhet shantazh dhe shpifet për të degraduar dhe ulur vlerat ne komunitet, si p.sh: “Ki kujdes filan-fisteku është i yni, por mashtrues, nuk është rastësisht aty!”, “Ky, ose ai është gënjeshtar!”, etj…
Emigranti duke lavdëruar vendin pritës dhe duke e kritikuar pa vetëdije vendlindjen ka filluar përqafimin e asimilimit. Pikërisht kur fëmijët fillojnë shkollimin dhe mësimin e kulturës, prindërit fillojnë edhe shpalosjen e simboleve kombëtare apo gjestikulimin e tyre. Prindi dëshiron t’i tregoj fëmijës, se ai nuk i përket atij grupi, se origjina e tij është nga diku tjetër. Një numër i madh i të intervistuarve ja transmetojnë pasardhësve të vet simbolet. U tregojnë për historinë dhe vendin prej nga vijnë, por njëkohësisht ata mendojnë se fëmija i tyre është më i mirë se i bashkëvendësve tjerë. Madje sipas disave, ai nuk duhet të ju ngjaj shqiptarëve, pasi ata janë mashtrues dhe të pa besë. Bile mbi 51% mendojnë se fëmija i tij nuk duhet të shoqërohet me moshatar shqiptarë, pasi sipas tyre rreziku është i madh që të merren me kriminalitet, ose punë tjera të pa dëshirueshme.
Pas fjalëve negative për njerëzit e origjinës dhe vendlindjen, tash në kokën e fëmijës shfaqja e simboleve kombëtare është tërësisht e pavlerë, meqë prindi ja ka mbush kokën me negativitet për vendin e tij. Pra, ai fëmijë kur të rritet orientohet më shumë gjasë nga vendi pritës, pasi vendin e origjinës nuk e merr seriozisht, pas gjithë atyre që ka dëgjuar.
Lëvdatat e prindit si ato të lartshënuara dhe këto tani, ndikojnë direkt në zhvillimin e fëmijës : “E dua dhe respektoj pafund Gjermaninë, Zvicrën, Austrinë!”, I jam shumë mirënjohës vendit që pata mundësinë të mbijetojë dhe të jetojë!”, “Në Kosovë do të jetoja si një qen endacak!”…etj. Janë fjalë që na bën të kuptojmë se këtu fillon ndarja përfundimtare me vendlindjen. Me vdekjen e prindit gjithçka do të zbehet, vizitat do të rrallohen akoma më shumë, bisedat do të bëhen gjithnjë e ma të padurueshme, për shkak dallimeve të mëdha në perceptime. Pastaj këta emigrant gjithnjë e më shumë do ta përqafojnë kulturën vendase, do të fillojnë ndryshimin e emrave dhe këtu nis identifikimi më atë kulturë.
Asimilimi i strukturuar!
Kontaktet e shumta që patëm me gjeneratën e dytë dhe të tretë na bënë të kuptojmë se forma e dytë asimilimit të emigrantëve shqiptarë është më masive dhe ai ndodh në formë të strukturuar. Pjesëmarrja e emigrantëve në jetën shoqërore është gjithnjë e më e madhe, por akoma pa marr përgjegjësinë e plotë në vendet me interes për shoqërinë. Angazhimi i tyre në shoqata joqeveritare, në klube sportive, në raste të rralla edhe neper institucione janë treguesit e qartë se shoqëria shumicë po i pranon emigrantët në procesin e asimilimit të strukturuar. Martesat e ndryshme mes emigrantëve dhe popullit pritës është një mundësi tjetër e mirë që shtynë akoma edhe më shpejt procesin ndryshimit të identitetit.
Personat e paktë të emigrantëve shqiptarë që arrin të përfundojnë shkollimin superior, përjetojnë diskriminimin me të egër të mundshëm. Pra, Emri dhe Mbiemri është pengesa kryesore dhe këtë e kanë të gjithë të qartë, diskriminimin e lejon hapur shteti dhe institucionet në rajonin gjermano folës. Pasi të ndodhë asimilimi i strukturuar, automatikisht dhe me sukses të plotë do të bëhet asimilimi i mëtutjeshëm ose ndryshimi total i identitetit.
Ndryshimi i identitetit!
Dimensioni i tretë dhe i fundit është asimilimi i identitet që tek 6% e shqiptarëve kishte filluar. Këtu personi nuk identifikohet në asnjë mënyrë me vendin e origjinës. Grupet minoritare fillojnë të identifikohen me të kaluarën historike të shoqërisë shumicë. Angazhohen shumë për ta ruajtur dhe forcuar shtetin pritës. Janë të vetëdijshëm për një fat të përbashkët dhe përfundimisht ata identifikohen me një komb. Për shembull, identiteti gjerman (shqiptarët që kanë lindur dhe jetuar në ketë shtet me gjatë se tridhjetë vite, nuk identifikohen ndryshe pos si gjerman), ashtu vlen edhe për identitetin anglez, suedez,…etj, pra fillon identifikimi i plotë me kombin, këtu përfundon diskriminimi dhe shteti pritës është i dhënë në favor të tyre.
Gradualisht në shoqëritë e shumicës lëvizin procese të shumta të përshtatjes që minoritarët e ardhur asnjëherë nuk i kuptojnë. Shumë shtete që kanë mungesë popullsie, siç janë shtetet gjermanofolëse do t’i forcojnë akoma më shumë partitë ekstremiste për të shtyrë para transformimin. Ata gjithnjë e më shumë do të kërkojnë dëbimin e tyre, dënimin dhe sanksionimin e tyre me lejen e partive në pushtet. Kërkesa kryesore e gjithë shoqërisë pa dallim është të ndodh një asimilim më i shpejtë. Pra në të ardhmen modeli i shoqërisë është që emigrantet të identifikohen me kombin ku jetojnë. Këto vlera po mbështetën nga shoqëritë evropiane. Njohja dhe internacionalizimi i vlerave të kombit do ta krijojnë integrimin social të qytetarëve të barabartë ligjërisht. Një shembull i një kombi të tillë është Franca, ku anëtarësia e kombit varet nga pranimi i vlerave të republikës, pavarësisht përkatësisë etnike ose kulturore…..