Sfondi ynë me pushtime të njëpasnjëshme, pastaj rrethanat e tanishme të ndryshimit ndoshta kanë ndikuar që të jemi këta njerëz që jemi. Se kemi problem të gënjejmë hapur, të shpifim, të mashtrojmë, të xhelozojmë, ta kemi inat, mikun, shokun, etj…, por ndryshimi pozitiv dhe ajo që duam të kapim në të ardhmen varet kryesisht nga ne.
Ajo që bie në sy dhe për mendimin tim që është tepër shqetësuese për gjithë shoqërinë tonë është fakti i sulmeve denigruese ndaj personave të parë, jo vetëm nga media, analistët dhe opozita që është gjë normale, por ajo që dhemb më tepër janë sulmet nga vet brendia e shoqërisë ose subjekteve politike prej nga vijnë. Kjo qasje dhe mendim orientalist (e them me qëllim orientalist, sepse sulmet e pabaza në perëndim e kanë një pikë deri ku mund të shkojnë, kurse në disa vende të lindjes veprohet në këtë formë deri në pakufi) fillon atëherë kur X personi zgjidhet kryetar klubi, shoqate, fshati, komune, partie, shteti,…dhe jo më herët. Arsyet e sulmeve nga të gjitha anët janë të ndryshme, duke filluar nga ambiciet për të qenë vet në atë pozitë dhe arsye tjera interesi. Dhe, veç kësaj për disa është problem edhe mentaliteti, pasi nga sulmet ata dëfrehen dhe ndjejnë kënaqësi të brendshme. Këto shpifje dhe akuza të përsëritura po merren si të vërteta nga një pjesë e njerëzve, pastaj deshëm apo nuk deshëm kjo dukuri negative po e dëmton shoqërinë tonë deri në palcë.
Demokracia ka nevojë për opinione dhe mendime të kundërta, brenda shoqatës, fshatit, komunës apo partisë. Madje askush nuk duhet t’i shmanget asnjë debati dhe sa më i mprehtë të jetë ai, aq më i mirë do të bëhet, sepse përfshirja në ofrimin e alternativave është pasuri e demokracisë, prandaj deri këtu gjithçka është në rregull. Mirëpo kur nga diskutimet e brendshme dilet publikisht me shpifje, fyerje dhe spekulime pa fakte, për mikun dhe kryetarin e tij, që shpeshherë i dëgjojmë nga njerëz të strukturave dhe të niveleve të ndryshme, jo vetëm që është mjerim për personin i cili nxjerrë ato fjalë nga goja, por në fakt është një lloji infektimi i panevojshëm për shoqërinë. Këta njerëz që proklamojnë njëfarë lloji lirie totale njerëzore, as vet nuk e dinë çfarë duan. Në realitet ata nuk duan të ketë rregulla që duhet respektuar, nuk njohin statutet dhe ligjet e shkruara. Nuk duan që i zgjedhuri në mënyrë demokratike të marr vendime mbi tjetrin, prandaj duke mos ju bindur kryetarit, e dëshirojnë një lloji anarkie brenda organizatës ku është aktiv.
E panevojshme ishte kritika ndaj Lumir Abdixhikut.
Zakonisht në perëndim kur X personi zgjidhet në krye të shoqatës ose një institucioni, i jepet mundësia të punojë me kapacitetin e plotë deri në kuvendin e radhës, duke u mbështetur edhe nga konkurrentët, por edhe nga ata që nuk e duan. Vetëm në rast të shkeljes flagrante të statutit, ose të ndonjë veprimi të pamenduar i cili prish imazhin, e shoqatës, partisë, shtetit, i kërkohet dorëheqja ose mbajtja e një kuvendi të jashtëzakonshëm. Kryetari i tanishëm i LDK-s është zgjedhur pastër në mënyrë demokratike dhe atij duhet ti jepen të gjitha mundësitë dhe mbështetja e duhur në realizimin e synimeve që ka nga i gjithë subjekti që ai përfaqëson, jo vetëm nga ata që e duan, por edhe nga ata që e kanë inat, sepse ky është bazamenti i demokracisë dhe tek në kuvendin e radhës mund të flitet për rezultatet dhe suksesin e arritur.
Javën e fundit pamë dy anëtarë të kryesisë së LDK- së që në media verbalisht sulmuan kryetarin e tyre. A ishte i nevojshëm ky atak? Aspak! Përkundrazi, ishte diçka e shëmtuar, jo për kryetarin, por më tepër për vet ata që nxorën ato fjalë. Është e padiskutueshme si Skender Hyseni ashtu edhe Agim Veliu kanë kontribuar në parti me dekada dhe kjo nuk mund t’iu mohohet asnjëherë, por në anën tjetër kjo në asnjë mënyrë nuk u jep të drejt atyre ta hapin gojën në opinion për kryetarin e zgjedhur nga shumica e partisë. Përkundrazi sikur të ishin pjesë e një partie në perëndim do të kontribuonin edhe më tepër në ngritjen e partisë dhe kurrë s’do ta kishin guximin të silleshin në këtë formë. Madje kryetarët dhe personat të shpallur nderi, zakonisht në perëndim janë shumë aktivë duke e mbështetur të parin në të gjitha mënyrat e mundshme. Prandaj këta dy burra nëse kanë ambicie (përpos diskutimeve të brendshme) nuk duhet të flasin në opinion për pakënaqësitë dhe problemet e brendshme, por duhet të konkurrojnë dhe të maten në kuvend. Qasja e tyre ndaj partisë është me mendësi të vjetruar që mendoj unë nuk duhet dhuruar shumë vëmendje. Duhet çrrënjosur mendimet se: “Unë e mbajta partinë gjallë dhe unë duhet të pyetëm”, ose “Unë e çlirova vendin dhe unë duhet të ha me lugë të arit”.
Demokracia ka kufi!
Nga jeta politike në Austri dua t’i ceki dy raste që tregojnë kufirin e demokracisë, sepse ajo ka rregulla që duhet zbatuar, në të kundërtën liria pa rregulla quhet anarki. Një deputet në parlamentin austriak, që ishte edhe anëtarë i kryesisë së parlamentit, me emrin Dönmez, në një intervistë të dhënë për gazetën e njohur austriake, kur gazetari e kishte pyetur për ambiciet duke e krahasuar atë me një politikane që kishte kapur majat dhe kur ky i ishte përgjigjur se: “ duhet pyetur gjunjët e zonjës dhe bukurinë e saj, sesi kishte arritur atje”, u bë menjëherë skandal. Dhe pa humbur kohë, e shkarkuan nga të gjitha funksionet, shtetërore, partiake dhe kështu me radhë. Sot personi në fjalë është tërhequr nga politika. Ose skandali i përgjimeve nga Ibica, ku gazetari me një goditje rrënoi dy zogj. Menjëherë hoqi nga politika Strachen dhe pak me vonë kjo aferë e përfundoi edhe karrierën politike të Sebastian Kurcit. Për mosrespektim të rregullave statutore të partisë, pse të mos merren edhe tek ne hapa radikal të përjashtimit nga partia të personave që rrënojnë klimën e shëndoshë.
Unë vet si kryetar i një shoqate shqiptaro-austriake, që është e dominuar nga austriakët, ka 20 vite që marr mbështetje të pa rezervë nga e gjithë kryesia. Kurse kur udhëhoqa një klub shqiptarë, që në ditët e para u sulmova nga të gjitha anët, edhe pse ata nuk e kishin guximin ta merrnin vet përgjegjësinë në udhëheqjen e klubit. Kjo dëshmi tjetër tregon se evropianët kanë kulturë të lartë, vlerësojnë dhe mbështesin gjithçka që shkon në dobi të shoqërisë, kurse shqiptarët më tepër janë të prirë të pengojnë, sesa të punojnë në ngritjen dhe zhvillimin e përbashkët.
Më kujtohet disa vite më parë kur ministri i diasporës Valon Murati e pat vizituar Linz-in dhe më pyeti për organizimin e shqiptarëve që kishim aty. Si ju shkojnë punët Ramiz?, më pyeti ai. Si në parlamentin e Kosovës, i thashë. Lëvizi dorën me habi, që të mos flas më tepër, sepse atë kohë parlamenti shkonte tymnajë. I thash se, ku do që shkojmë, ne prapë mbesim të njëjtë, sepse ky është mentalitet ynë që duhet ndryshuar, i cili fatkeqësisht nuk mund të çrrënjoset aq shpejtë.