[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Ramiz Lladrovci shkarkon motrën e Isa Xhemajlajt



Dy drejtorë me aktakuzë në Komunën e Drenasit janë shkarkuar nga detyra me vendim të kryetarit të Komunës.

I pari i Drenasit Ramiz Lladrovci ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Administratës së Përgjithshme Komunale, Xhemë Binaku dhe drejtoreshën e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës, Hyrije Xhemajlaj-Thaqi. Të dy këta janë me aktakuza.

Vendimi i marrë nga Lladrovci, pason po vendimin e tij të mëparshëm, kur nga detyra u larguan katër zyrtarë të tjerë komunalë.

“Pas shkarkimit të katër zyrtarëve komunal me aktakuza të ngritura, sot, në takim me drejtorët e drejtorive komunale, kam kërkuar që secili që ka aktakuzë të ngritur, të largohet nga detyra. Dy drejtorët politik, Drejtori i Administratës së Përgjithshme Komunale, Xhemë Binaku dhe drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Hyrije Xhemajlaj-Thaqi, janë me aktakuza dhe tashmë nuk janë më drejtor të drejtorive”, ka thënë Lladrovci, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.