Kosova po përballet me reduktime të energjisë elektrike pas dhjetë vjetësh. KEDS’i ka paralajmëruar dje se gjatë këtyre 24 orëve do të ketë kufizime me rrymë, raporton Botapress.info
Sipas KEDS, reduktimet do të ishin për 2 orë. Por, qytetarët po ankohen se po zgjasin më shumë se aq. Gazetari Xhemajl Rexha ka thënë se në Velani s’ka rrymë prej mbrëmë në ora 20:00.
“2 orë thanë…Në Velani s’ka rrymë prej mbramë në ora 20:00”, ka shkruar Rexha në Twitter.
Për reduktimet më rrymë ka reaguar edhe aktori Shkumbin Istrefi. Ai ka thënë se reduktimet po zgjasin më shumë se dy orë.
“Dikush e ka sahatin dallash, ose na ose KEDS. 2 oret e tyne koxha gjate po na dalin?!?!?!”, ka shkruar Istrefi.
Ndryshe, KEDS’I ka thënë se situata me reduktime do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërsa për ditët në vijim janë në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i.
“Gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike. Këto kufizime do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë.
Kjo situatë do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërsa për ditët në vijim në jemi në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i dhe do të veprojmë konform tyre”, thuhet në njoftimin e KEDS./Gazeta Botapress.info./