[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

QKMF me sukses ka përmbushur obligimet ndaj pacientëve në terren



Botapress, 6 Janar

Përkundër reshjeve të mëdha të borës në qytetin e Ferizajt, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka arritur me shumë sukses  t’i përmbushë obligimet ndaj pacientëve në terren, shkruan Botapress.

Edhe pse qarkullimi i automjeteve është vështirësuar mjaft, ekipet e Shërbimit të Autoparkut kanë realizuar planin ditor të transportimit të pacientëve që i nënshtrohen dializës. Punëtorët e këtij shërbimi kanë organizuar punën e tyre në mënyrën më të mirë, duke filluar nga orët e para të mëngjesit e deri në mbrëmje. Nga ora 6 e 30 dhe 10 e 30, deri në ora 12 e 30 janë transportuar pacientët nga fshatrat Greme, Zaskok, Dubravë, Pleshinë, Prelez i Jerlive, Prelez i Muhaxherëve, Slivovë, Dremjak dhe Mirash, pasdite nga ora 16 e 30 deri në 18 e 30, janë transportuar edhe pacientët që jetojnë brenda qytetit. Vlen të theksohet se me vullnetin e tyre, punëtorët tanë i eliminuan vështirësitë, duke u angazhuar në hapjen e rrugëve, aty ku ka pasur nevojë, për të arritur deri te pacientët dhe për të përmbushur obligimet ndaj tyre. Krahas ekipeve të Autoparkut, shërbime të suksesshme në terren kanë ofruar edhe ekipet e Shërbimit Emergjent, në fshatra dhe brenda qytetit. Nga shumë raste të rënda, veçojmë intervenimin te një paciente me çrregullim të frymëmarrjes në fshatin Zaskok, e cila pastaj është transportuar në Shërbimin Emergjent në Prishtinë dhe intervenimin te një fëmijë 18 muajsh në fshatin Greme (lagjja Topojan) ku ekipet kanë arritur të veprojnë me kohë dhe të ofrojnë ndihmën e nevojshme, përkundër vështirësive,

Suksesi i ekipeve të QKMF – së i atribuohet në masë të madhe edhe Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale që ka realizuar objektivat e saj, duke ofruar pajisjet e nevojshme, e në veçanti veturat e përshtatshme për terren, me të cilat janë tejkaluar vështirësitë atmosferike. /Botapress.info