[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Qeveria do të provojë përsëri ta procedojë këtë muaj Demarkacionin



Qeveria e Kosovës do të bëjë çmos që gjatë këtij muaji të kalojë në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e ZI, ka thënë këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj. Nëse, Demarkacioni nuk kalon brenda këtij muaji, atëherë, sipas tij, humben mundësitë që gjatë këtij viti të ndodhë liberalizimi i vizave.

Gecaj, i cili është edhe zv/ministër i Pushtetit Lokal, thotë se përpjekja për të kaluar Demarkacionin do të bëhet pas prezantimit të të gjeturave të Komisionit, i cili tashmë është konstituuar për të matur territorin e vendit.

“Ne jemi duke pritur rezultatin e Komisionit dhe do të shohim se çka do të dalë nga kjo matje dhe pastaj ne do të bëjmë çmos që kjo të aprovohet në kuadër të këtij muaji, sepse nëse kjo nuk ndodhë, atëherë gjasat janë të mëdha qe ne nuk do të kemi liberalizim të vizave deri në fund të këtij viti”, ka thënë Gecaj për ‘Indeksonline’.

Ai është optimist se vullneti i deputetëve të caktuar do të ndryshojë pasi komisioni të prezantoj raportin.

“Po shpresojmë se të gjeturat e këtij komisioni do të jenë të tilla qe të mund të hiqen të gjitha dyshimet prej deputetëve në mënyre qe të kemi një konsensus për të ecur përpara. Caktimi i kufijve nuk është çështje partiake, por është e të gjitha partive politike dhe po shpresojmë qe pas të gjeturave të këtij komisioni vërtete të hiqen të gjitha dyshimet”, ka shtuar ai.

I pyetur se kur ky komision do të përfundoj punën dhe do të prezantoj të gjeturat, Gecaj thotë se është komisioni i cili do ta caktoj vet agjendën dhe kohën sa i nevojitet për të matur territorin. Por, ai thotë se është në interes qe ata të dalin sa me shpejtë më qëndrim.

Projektligji për demarkacion me Malin e Zi është proceduar për Kuvend në seancën e një shtatorit të vitit të kaluar, por në mungesë të votave kryeministri Mustafa kishte tërhequr nga rendi i ditës këtë projektligj.

Përveç, partive opozitare të cilat në tërësi e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, votë kundër saj ka edhe nga deputetët e koalicionit qeveritar.

Pikërisht demarkacioni me Malin e Zi ka qenë pretekst i përplasjeve të mëdha mes pozitës dhe opozitës brenda dhe jashtë Kuvendit.