Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një bashkëbisedimi me gazetarë në konferencë për media, ka shprehur shqetësimin për tragjedinë nëpër të cilën po kalon Kosova në përballje me pandeminë Covid-19.
Lideri i opozitës kërkoi reagim urgjent dhe angazhim maksimal të institucioneve shtetërore, për ta ndalur këtë hov të kobshëm të pandemisë me shumë humbje jetësh të qytetarëve dhe numër të madh të infektimeve.
Krasniqi ka konfirmuar sërish gatishmërinë e PDK-së për të kontribuar në Kuvendin e Kosovës për të marrë vendime në ndihmë të qytetarëve për tejkalimin e kësaj tragjedie.
Lideri i PDK-së theksoi se Kosova sot është në një situatë të përkeqësuar pandemie për shkak të menaxhimit të dobët nga ana e qeverisë dhe injorimit të paralajmërimeve nga OBSH-ja dhe institucioneve tjera shëndetësore ndërkombëtare për përhapjen e variantit Delta.
“Mjerisht, të gjitha këto paralajmërime nuk i pa Qeveria e Kosovës, nuk i kushtoi vëmendje rrezikut të përhapjes së këtij varianti, dhe nuk ndërmori masat adekuate për të parandaluar rrezikun e fluksit të infektimit. Përkundrazi, në mënyrë të vazhdueshme nga kjo Qeveri kemi parë relativizim të situatës dhe një aktrim të normalitetit në një situatë krejtësisht jonormale. Është evidente dhe konstatim real e jo politik, që Qeveria nuk e menaxhoi në mënyrë efikase gjithë procesin e ballafaqimit me pandeminë. Veçmas, nuk mendoi fare për preventivën e përhapjes së variantit Delta.”, tha Krasniqi.
Ai tha se keqmenaxhimi i situatës pandemike nga qeveria vërehet në disa dimensione: në sigurimin e vaksinave, në administrimin e procesit të vaksinimit dhe në administrimin e kapaciteteve shëndetësore.
Kryetari Krasniqi edhe një herë e përcolli mesazhin se beteja me pandeminë nuk është betejë politike, por është betejë për shpëtimin e jetës së qytetarëve tanë dhe se PDK ka qenë konsistente në qëndrimin e saj se duhet një front i përbashkët për t’i dalë në ballë pandemisë dhe krah nevojave të qytetarëve.
Krasniqi përsëri ka ftuar Kuvendin e Kosovës t’i pezullojë pushimet, për ta rishikuar Ligjin për Buxhetin që të gjitha nevojat emergjente të reflektohen në Buxhet, në mënyrë që kjo gjendje e rëndë me pandeminë t’u bëhet më e lehtë qytetarëve të Kosovës.
“Përballë kësaj tragjedie dhe këtij trendi kaq të rëndë e të rrezikshëm njëkohësisht, sot nuk duhet të ketë prioritet më të madh e më të rëndësishëm sesa shpëtimi i jetës së qytetarëve tanë.Të gjithë duhet të bëhemi bashkë – që qytetarëve t’ua lehtësojmë barrën e ballafaqimit me këtë sfidë. Kjo është nevojë emergjente dhe domosdoshmëri.Prandaj, pres reflektim të Qeverisë, sepse gjendja është jo vetëm e rëndë, por po bëhet e pashpresë, përballë të cilës ndërgjegjja e gjithsecilit prej nesh nuk mund të peshojë asgjë më shumë sesa jetën e qytetarëve.”, përfundoi Krasniqi.