Shumë dikastere të rëndësishëm në kuadër të Qeverisë së Kosovës janë duke funksionuar me ushtrues detyre prej kohësh. Një nga ta është edhe institucioni i Thesarit të Shtetit, që ka qenë me ushtrues detyre. Pasi kjo pozitë kishte mbetur vakante, Ministria e Financave s’ka arritur që të ekzekutojë pagat për mësuesit e shërbyesit civil, shkruan Express.
Avokati kosovar, Faton Fetahu, i cili ka ndihmuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës në disa raste në Gjykatën Kushtetuese ka dhënë një zgjidhje për këtë ngërç institucional.
Fetahu ka thënë se duhet të mbahet një mbledhje urgjente e Qeverisë së Kosovës për të marrë vendim për transferimin e përkohshëm të një zyrtari të nivelit të lartë drejtues në pozitën e Drejtorit të Thesarit.
Pas kësaj, Ushtruesi i Detyrës së Thesarit duhet të ushtrojë efektivisht detyrën dhe të sigurojë në afatin sa më të shpejt kohor ekzekutimin e pagave në sektorin publik dhe të gjitha pagesat që dervijonë nga ushtrimi i veprimtarive publike e shtetërore.
Si pikë të tretë për dalje nga kriza, Fetahu shkruan se Qeveria dhe ministritë përkatëse zëvendësojnë pozitat e mbetura vakante me zyrtarë të transferuar përkohësisht dhe më pas sigurohen që pozitat e zyrtarëve ku janë realizuar trasnferet përkohëshisht më pas plotësohen në pajtim me ligjet në fuqi.
Postimi i plotë i Fetahut:
NJË ZGJIDHJE NË VEND TË KRITIKËS PËR PROBLEMIN E KRIJUAR!
Nuk ka nevojë të theksojmë e as të konstatojmë paaftësinë e qeverisë për të gjetur një zgjidhje ligjore për të adresuar kërkesën e qartë të ligjit në fuqi për Zyrtarët Publik, që në periudhën prej 1 viti nga hyrja e tij në fuqi (25 shtator 2023) të zhvilloj procedurat e rekrutimit dhe të emëroj të gjithë zyrtarët publik të cilët kanë ushtruar pozitat vakante në kuadër të qeverisë dhe institucioneve të tjera.
Dhe njëra nga këto pozita e cila ka qenë duke u ushtruar me Ushtrues Detyre është edhe pozita e Drejtorit të Thesarit, pozitë e cila është vendimtare për të ekzekutuar pagat dhe pagesat e tjera në kuadër të të gjithë veprimtarisë administrative shtetërore dhe publike. Në këto rrethana, përtej praktikës qeveritare që pozitat e rëndësishme në sektorin publik të funksionojnë me “Ushtrues Detyre”, pozita e Drejtorit të Thesarit për shkak të peshës dhe rëndësisë së saj nuk mund të mbetet vakante për as një ditë të vetme.
Prandaj, duke vlerësuar qartë dhe drejtë kërkesën ligjore të nenit 35 të ligjit në fuqi për Zyrtarët Publik, i cili shprehimisht përcakton që pozitat e lira nuk mund të zëvendësohen me “ushtrues detyre” për një periudhë më të gjatë se një vit, dhe duke marrë parasysh përcaktimin shprehimor të par. 5 të këtij neni që konsideron se është i paligjshëm çdo vendim i marrë nga ushtruesi i detyrës pas kalimit të afatit një vjeçar, si dhe me qëllim që të parandalohet çfardo vendimarrje e paligjshme, e cila do të kishte për pasojë edhe përgjegjësinë penale në formën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, propozojmë zgjidhjen si në vijim:
1. Sot Qeveria e Republikës së Kosovës të mbajë mbledhje urgjente në të cilën do të marrë vendim për transferimin e përkohshëm (deri në 6 muaj) të një zyrtari të nivelit të lartë drejtues, në pozitën e Drejtorit të Thesarit, në bazë të nenit 63, par. 1 të Ligjit për Zyrtarët Publik (për shembull transferimin e një Sekretari të Përgjithshëm të një ministrie);
2. Ushtruesi i detyrës i Drejtorit të Thesarit nga pika 1 e propozimit, të ushtrojë efektivisht detyrën përkatëse dhe të sigurojë në afatin sa më të shkurtër kohor që të ekzekutoj urgjentisht pagat në sektorin publik dhe të procedojë të gjitha pagesat që derivojnë nga ushtrimi i veprimtarive publike dhe shtetërore;
3. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ministritë përkatëse, duke përfshirë agjencitë ekzekutive të zëvendësojnë pozitat e mbetura vakante me zyrtarë të transferuar përkohësisht dhe të sigurohen që pozitat e zyrtarëve ku janë realizuar transferet e përkohëshme të rekrutohen në pajtim me legjislacionin në fuqi;