Posta e Kosovës po vazhdon të përballet me probleme financiare tash e disa kohë. Gazeta nga burime të saj brenda këtij institucioni ka marrë vesh se punëtorët e kësaj kompanie ende nuk i kanë marrë pagat e muajit gusht.
“Ende nuk i kemi marrë pagat e muajit gusht ndërkohë që po mbaron shtatori”, kanë thënë disa punëtorë të Postës në kushte anonimiteti.
“Gazeta Blic” për t’i pyetur më gjerësisht se a i kanë marrë punëtorët pagat e muajit gusht, ka dërguar pyetje në adresë të Postën e Kosovës.
Të njëjtit në përgjigjen e tyre me shkrim kanë theksuar se një pjesë e punëtorëve e kanë marrë pagën ndërsa pjesa tjetër pritet t’i marrin gjatë ditës së nesërme.
“Nëse e keni fjalën për PUNËTORËT, një pjesë e kanë pranuar pagën, poashtu gjatë ditës së nesërme do të ekzekutohen pagat edhe për pjesën tjetër të punëtorëve, ndërkaq për menaxhmentin gjatë ditëve në vijim” thuhet në përgjigjen me shkrim të Postës së Kosovës.