Gafurr Dugollit, që është bë sekretar permanent në Ministrinë e Mbrojtjes para dy javësh, pasuli i ushtarëve të FSK-së, do me i mbetë në fyt. Gafurr Dugolli është bë sekretar permanent me 100 shkelje ligjore, vetëm pse është vëllai i Enver Dugollit.
Burimet e mia, pranë Qeverisë, më kanë tregu që ministri Ejup Maqedonci, i ka dërgu letër Qeverisë që në mbledhjen e radhës me e shkarku Gafurr Dugollin, i cili bashkë me Shemsi Sylën, ia kanë bë atij një puç për tenderin e ushqimit të ushtarëve të FSK-së, gjatë kohës kur ministri Maqedonci nuk ka qenë në Kosovë.
Qesharake dhe tragjike, mirëpo mos harroni: Gafurr Dugollin e kanë bë sekretar permanent me datën 11 shtator. Sot është i 24-ti. Pra, pa u bë dy jabë, ministri ka kërku me e largu.
Është gati e pabesueshme se çfarë kaosi është duke mbretëruar në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila do të duhej të ishte njëfarë oaze e stabilitetit, sigurisë dhe qetësisë. Hej, në Ministrinë e Mbrojtjes. Aty, qysh thotë populli, qeni t’zotin nuk po e njeh.
Shemsi Syla, që me letra është vetëm zëvendësministër, e ka bë qorape institucionin që udhëheq me Ushtrinë e Kosovës. Shemsi Syla, në kushte normale, nuk është kurrkushi. Populli e mban mend atë më shumë si njëfarë servili të PDK-së për më shumë se 15 vjet, por edhe ai, si plot të tjerë, kur ia ka ni erën ndryshimit, ka kalu kah Vetëvendosja.
Ashtu qysh i ka shërby PDK-së, me zell dhe pasion, ashtu po iu shërben edhe strukturave okulte të Vetëvendosjes. Ai është aty dorë e zgjatur e Dejona Mihalit. Tash, së fundmi, vendosën që ta marrin në ekip edhe Gafurrin, duke ia nxi jetën ministrit.
Mbetet me u pa, a ka me e dëgju Albin Kurti ministrin Maqedonci, e ta shkarkojë sugarin e familjes Dugolli – Gafurrin, apo Albin Kurti do t’ia hajë kokën Ejup Maqedoncit, qysh ia ka hëngër kokën Armend Mehajt, në mënyrë që strukturat parapolitike të Lëvizjes Vetëvendosje, në krye me Dejona Mihalin dhe Sali Zybën, ta ruajnë kontrollin e plotë mbi këtë Ministri bashkë me tenderët aty.
Në dy javët e fundit, në këtë Ministri, janë bë dallavere të mëdha me tenderin për ushqim të ushtarëve të FSK-së, i cili e ka një vlerë mbi 10 milionë euro për tri vitet e ardhshme.
Shemsiu bashkë me Gafurrin, kanë dashtë që këtë tender, ta kapërcejnë si ‘sekret shtetëror’, vetëm për t’iu ikur procedurave të konkurimit. Kështu edhe ia kanë bë. Ministri Maqedonci ua ka anulu këtë vendim, kurse këta kanë vazhdu pastaj me nenin 35 të prokurimit publik, me ftesë për ofertim, prapë duke i ikur konkurrencës.
Pak a shumë, për të njëjtat arsye, Qeveria e pati pranuar edhe ‘dorëheqjen’ e ish-ministrit Armend Mehaj. Edhe ai ka pasë telashe të mëdha, me të njëjtit njerëz.