Analisti Alban Daci deklaroi se Serbia doli e humbur nga samiti BE-Ballkani Perëndimor, që u zhvillua ditën e djeshme në Tiranë. Në një intervistë për Euronews Albania, Daci nënvizoi se Vuçiç priste që BE të thoshte se Kosova po shkel tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Serbisë, por diçka e tillë nuk ndodhi.
“Një lider si Vuçiç nuk i tradhton asnjëherë interesat kombëtare për interesa personale, këtë ta kesh të garantuar. Ajo që ka shumë rëndësi dhe është fatkeqësi që klasa politike shqiptare nuk po e kupton momentin e artë të Shqipërisë.
Kemi 5 shekuj që duam të shkojmë në BE dhe ishte një ditë e vetme që BE erdhi te ne. Në lidhje me politikën evropiane dhe qëndrimet perëndimore, përveçse problemit të fundit me non-grata, Shqipëria gjithmonë ka qenë koherente dhe ky është një fat i madh.
E humbur në këtë rast është Serbia, e cila për shkak të problemeve të psiokozës së të kaluarës nuk po shërohet dhe vazhdon të ketë një qëndrim me Rusinë.
Vuçiç doli i humbur dje sepse nuk mori atë përgjigje që pretendonte, që Kosova po shkel tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Serbisë.
Nga ana tjetër, Serbia nuk mund të mungojë në BE dhe deklarata më e mençur në këtë samit kundrejt Vuçiç, ishte ajo e Kroacisë, që tha se Serbia dhe Vuçiç nuk mund të vazhdojnë me dy këmbë, një me BE dhe një me Rusinë”, theksoi ai.