[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Pse nuk duhet të ndërpritet dialogu me Serbinë



“Opozita dhe shoqëria civile nuk ofrojnë siguri se në rast të ndërprerjes së dialogut, do të mbahen aleancat dhe partneriteti evropian”.

Kështu ka thënë opinionisti, Bajrush Morina në Rubikon të KTV-së.
Nuk ka siguri dhe aleancë nëse ndërpritet dialogu me Serbinë. Përderisa nuk ofrohet kjo siguri, ai tha se nuk mund të jetë për ndërprerje të dialogut.

“Askush prej liderëve opozitarë, as prej shoqërisë civile nuk kanë siguruar se do të ketë partneritet të vazhdueshëm nëse ndërpritet dialogu”, ka thënë ai.
Për më keq, Morina theksoi se lufta e brendshme politike në mes të subjekteve po vazhdon.

Si të vazhdohet dialogu me Serbinë?
Në tri shtylla e sheh vazhdimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, njohësja e çështjeve të integrimit evropian, Besa Shahini.
Ajo në Rubikon të KTV-së tha se fillimisht për krijimin e një grupi të unitetit duhet marrë parasysh edhe kërkesat e opozitës.
Sipas saj, qëndrimet e AAK-së e Nismës kanë ndryshuar nga ato të vitit 2013.
“Për të krijuar një ekip të unitetit duhet marrë parasysh kërkesat e opozitës dhe jo vetëm të LVV-së por edhe të AAK-së e Nismës të cilat kanë lëvizur viti 2013”, ka thënë Shahini.
Sipas saj, sot dihet më mirë nga vitet paraprake se çfarë mund të ofroj BE-ja.

Nuk ka kuptim të ndërpritet dialogu me Serbinë, potencoi Shahini.
Dëmi i shkaktuar nga ekipi dialogues sipas saj duhet të bëhet shkas për rihapjen e diskutimit se kush dhe si mund ta vazhdoj dialogun.

“Nëse është bërë një dëm kaq i madh për gjashtë vite rresht duhet mu ulë dhe duhet mu rihap diskutimi si dhe kush mund të vazhdohet dialogu. Mu mbyll dialogu dhe me thënë s’po flasim më me Serbinë është e pakuptueshme”, ka thënë ajo.
Shahini tha se kjo mund të shtrohet në Kuvendin e Kosovës.
Tutje ajo foli edhe për integrimin e serbëve të Kosovës. Shahini theksoi se nuk ka asgjë të shkruar e cila parasheh integrimin e kësaj pjese të popullatës, që siç thotë, ajo refuzon të jetë pjesë e Kosovës.
“Na nuk kemi plan për integrimin e serbëve. Nuk kemi shkruar asgjë ku ne e dimë se çka po duam të bëjmë me një pjesë të popullatës që po refuzon me qenë pjesë e Kosovës”, përfundoi Shahini.