Byroja për konfiskimin e pasurisë, del të jetë problematike veçanërisht për diasporën. Pse?Në sqarimin e saj rreth kundërshimeve që ka për projektligjin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë, deputete Doarsa Kica, ka sqaruar një çështje tejet problematike sidomos për diasporën tonë.
“Komisioni i Venecias flet për kundër-kushtetueshmërisë së projektligjit për Byronë. Byroja është shumë problematike. Byroja përcakton që të gjithë nëpunësit publik në Kosovë, do t’i nënshtrohen Byrosë. Realisht, kjo do të jetë njëfarë forme në cik-cak të themi. Sot kemi rreth 80 mijë nëpunës publik, nga viti 2008 kanë dalë e kanë hy dhe mund të kemi më tepër. Aty thuhet ku në secilin moment ku ne kuptojmë se ka diferencim të të hyrave legjitime, me asetet që ekzistojnë dhe mbrrijnë 25 mijë euro vlerën, atëherë do t’i bëhet kërkesë gjykatës që të konfiskohet pasuria”, tha mbrëmë deputetja në emisionin Rubikon.
Ky ligj, në mënyrën se si është proceduar në Kuvend, deputetja thotë se do t’i nxjerr shumë telashe diasporës tonë, duke elaboruar kështu:
“Pyetja që kam parashtruar është: çka bëjmë ne me të hyrat që na vijnë nga mërgata, të cilat jo vec nuk janë të pakta, por për shkak të realitetit tonë kosovar, nuk vijnë gjithmonë në punë të deklaruara nga vendi se ku vijnë.
Nëse një zyrtare në Deçan, ia ka blerë halla pak, daja pak, një banesë që do ta kalojë vlerën 25 mijë euro, por kanë hyrë këtu në punë në të zezën siç themi ne, cka ndodhë në atë rast?”, thotë ajo.
Deputetja jep tutje sqarimin kështu:
“Ne duhet patjetër të kemi bashkëpunim ndërkombëtar, t’i themi për shembull Gjermanisë, më fal sa i ka Adriatik Kelmendi të hyrat. Ai thotë për shembull Adriatik Kelmendi i ka 600 euro në muaj dhe me këto sa i merr ai, të deklaruara, nuk do të duhej të ishte në gjendje ti dërgonte ty 2 mijë euro në muaj. Dhe ne e dimë që ato 2 mijë euro, janë mbledhur në të zezën, të padeklaruara. E para, po ia identifikojmë shtetit në mërgatë, një kosovar që nuk po i deklaron të hyrat e veta. E dyta, po legjitimojmë konfisikimin e pasurisë, nga ato të hyra që ne jemi falënderuar vazhdimisht”, tha ajo, përcjell Periskopi.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, me vota unanime pati miratuar projektligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Byroja më pas u miratua në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.
Qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i procedurës së verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, si dhe themelimi, organizimi dhe kompetencat e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sipas projektligjit procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë do të përfshijë pasurinë e zyrtarëve nga data 17 shkurt 2008, si dhe do të vlejë edhe 10 vjet pasi personi zyrtar të pushojë së ushtruari funksionin e tij.
Sipas projektligjit propozimi dërgohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin Special.
Procedurën për shqyrtimin e propozimit të verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë e zhvillon gjyqtari i vetëm gjykues në shkallë të parë.
Varësisht nga rrjedha e seancës gjyqësore, gjyqtari i vetëm gjykues merr aktgjykim me të cilin pranon propozimin për konfiskimin e plotë të pasurisë së pajustifikueshme, për konfiskimin e pjesshëm të pasurisë deri në masën e pajustifikueshmërisë ose refuzon propozimin si pabazuar kur vërteton justfikueshmërinë e prejardhjes së pasurisë.
Sipas projektligjit shkaqet për refuzimin e propozimit për konfiskimin e pasurisë janë: propozimi për konfiskim përfshinë pasurinë verifikimi i së cilës nuk lejohet sipas ligjit, kur propozimi është i pasafatshëm, kur shpërputhja e pasurisë nuk tejkalon shumën 25 mijë euro, kur nga provat e shqyrtuara provohet se pasuria është fituar me mirëbesim nga personat e tretë.
Projektligji parasheh se kur nuk është i mundur konsfiskimi i pasurisë për shkak të asgjësimit apo tjetërsimit atëherë do të konfiskohet vlera zëvendësuese.
Pasuria e pajustifikueshme për konfiskim përfshinë: pasurinë personale të personit që është nën shqyrtim, pasurinë e fituar bashkërisht nga të dy bashkëshortët ose nga bashkëjetuesit, pasurinë e fëmijëve që nuk e kanë arritur moshën madhore, dhe pasurinë e bashkëshortit së personit që është nën shqyrtim.
Ndaj aktgjykimit me të cilin është urdhëruar konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme mund të parashtrohet ankesa si mjet i rregullt juridik dhe mjetet e jashtëzakoshme juridike revizioni dhe kërkesa për përsëritjen e procedurës.
Ekzekutimi i aktgjykimit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikushme bëhet sipas rregullave të procedurës përmbairmore nga gjykata e shkallës së parë e cila e ka aktgjykimin.
Pasuria e konfiskuar sipas këtij Ligji do të administrohet nga Agjencia përkatëse për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Sipas nenit 63 të këtij projeketligji nga pasuria që konfiskohet fillimisht përmbushen kërkesat që janë siguruar me anë të pasurisë së konfiskuar, pastaj përmbushen detyrimet ndaj pagesave të tatimeve që pala është në detyrim për pagesën e tatimeve, dhe pjesa e mbetur e pasurisë se konfiskuar i bartet në pronësi Qeverisë së Republikës së Kosovës/Botapress.info/