Sot, është mbajtur mbledhja e rregullt e Kryesisë së LDK’së e udhëhequr nga kryetari Lumir Abdixhiku. Kryesia e LDK’së ka zyrtarizuar kandidaturat për kryetarë të këtyre komunave: Prishtinës, Podujevës, Pejës, Suharekës, Lipjanit, Fushë Kosovës, Vitisë, Vushtrrisë.
Gazeta më poshtë do të ju sjell emrat e kandidatëve për kryetar të këtyre komunave si dhe një biografi të shkurtër.
Kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Përparim Rama është arkitekti i njohur – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. I njohur për angazhimin e tij kryesor në planifikim hapësinor të Lojrave Olimpike në Londër në vitin 2012; për angazhimin e tij në ndërtimin e vizionit të Doha’s, kryeqytetit të Katarit; për projekte madhore në New York, Dublin, Bazel, Pragë e deri në Damask të Sirisë, shkruan Gazeta . Rama synon të parin e Prishtinës, ku edhe kandidimin e tij e kishte zyrtarizuar vet kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.
Kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni.
Dr.Ekrem Hyseni, i cili për një kohë ka qenë Drejtor i Institutit të Onkologjisë, i ka hyrë garës për të parin e Podujevës. Ai ka lindur në Podujevë, saktësisht në Batllavë. Ka qenë deputet i LDK’së në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës. Ka qenë anëtarë i komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Kandidat për kryetar të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
I nominuar nga LDK’ja, Gazmend Muhaxheri, do të bëjë përpjekje që ta ruajë fronin e të parit në qytetin veriperëndimor të Kosovës. Muhaxheri, është nip i Ymer Muhaxherit, i cili ka udhëhequr LDK’në në vitet ’90-të në qytetin e Pejës, deri në “kuvendin e karrigeve” të kësaj partie më 2005. Gazemnd Muhaxheri, inxhinieri i ndërtimtarisë i lindur më 1964, mbajti pozita të larta publike përgjatë viteve. Ishte anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe deputet i Partisë Reformiste ORA prej vitit 2004 deri më 2007. Pastaj nga muaji shkurt i vitit 2010 deri në maj të 2011’ës, Muhaxheri kishte udhëhequr drejtorinë e Urbanizmit, deri sa kishte kaluar në strukturat e LDK’së. Aktualisht Muhaxheri është kryetar i Pejës.
Kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala.
Ardian Shala është nga fshati Mushtisht dhe me profesion është mjek specialist-kardiolog. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar. Në tri palë zgjedhje parlamentare, Ardian Shala ka pasur mbi 70% të votave të përgjithshme të LDK’së në Suharekë. Shala tani është zgjedhur anëtarë i kryesisë së LDK’së, nga kryetari i ri i partisë Lumir Abdixhiku. Ai kandidon për të parin e Suharekës, shkruan Gazeta Botapress.
Kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.
Imri Ahmeti, ka lindur në Torinë të Lipjanit. Ai është jurist i diplomuar në Universitetin e Prishtinës. Ahmeti ka një karrierë të gjatë politike, ai në vitin 2013 është zgjedhur kryetar i Lipjanit. Para se te zgjidhej Kryetar i Komunës ( dhjetor 2013) ishte deputet i Parlamentit të Kosovës. Ka ushtruar funksionin e zv/ministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës.
Një periudhë të punës se tij ka ushtruar funksionin e këshilltarit të lartë politik në kabinetin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në Kabinetin e Presidentit të Kosovës ka ushtruar funksionin e këshilltarit politik për çështje te pushtetit lokal. Një mandat e ka ushtruar në cilësinë e Kryeshef’it Ekzekutiv te Komunës së Lipjanit. Para se te zgjidhej Kryeshef ka qenë shef i Inspektoratit të KK Lipjan dhe Shef i sektorit për regjistrimin e bizneseve. Hapat e parë i ka shënuar në Shkollën e Mesme Ulpiana në Lipjan në cilësinë profesor i lëndëve juridike.
Kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha.
Burim Berisha ka lindur në Sllatinë të Madhe të Fushë Kosovës. Ai ka përfunduar fakultetin ekonomik në Universitetin e Prishtinë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Karrierën e punës e ka të gjatë, ai që nga viti 1989 ka qenë pjesë e LDK’së, konkretisht ka qenë sekretar i degës së LDK’së në Fushë Kosovë. Më pas gjatë viteve 1990-1998 ka qenë kryetar i parë i Qeverisë Lokale në Fushë Kosovë, shkruan Gazeta Metro. Më pas viti 2001-2007 ka qenë kryeshef ekzekutiv i Fushë Kosovës. Në vitin 2007 është zgjedhur kryetar i komunës, deri në vitin 2009. Ndërsa në vitin 2013 është rizgjedhur kryetar i Fushë Kosovës, post që e ka edhe tani.
Kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
Sokol Haliti, ka lindur në Beguncë të Vitisë. Ai është inxhinier i diplomuar në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Magjistër i marrëdhënieve ndërkombëtare (i diplomuar në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës). Që nga paslufta, Haliti ka qenë i kyçur në punët komunale. Ai në vitin 1999, ka qenë këshilltar komunal në përbërjen e parë të Kuvendit Komunal të Komunës së Vitisë. Më pas ka qenë përgjegjës sektori dhe drejtor i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Vitisë, drejtor i Departamentit të Prodhimtarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Ministrinë e Bujqësisë në Prishtinë, këshilltar i grupit parlamentar në Kuvendin e Kosovës, drejtor ekzekutiv në sferën e bujqësisë në një investim të jashtëm. Haliti aktualisht është kryetar i Vitisë, por që synon ta mbaj këtë post për zgjedhjet lokale, shkruan Gazeta Botapress.
Kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
Xhafer Tahiri, ka lindur në Stanoc të Poshtëm të Vushtrrisë. Ai është i martuar dhe ka fëmijë. Tahiri është ligjërues në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës. Më parë ka qenë ligjërues edhe në Fakultetin Juridik, Universiteti ‘Haxhi Zeka’, Pejë. Ka ushtruar edhe profesionin e Avokatit në Prishtinë.
Në vitin 2014, Tahiri ka qenë Profesor Vizitues në SHBA, në Ohio Northern University. Gjatë kësaj periudhe ka mbajtur ligjërata për programin LLM të këtij Universiteti.
Kujtojmë që zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen në vjeshtë, saktësisht në muajin tetor. Ende nuk dihet saktësisht data e zgjedhjeve, pasi për to vendos presidentja Vjosa Osmani, pas konsultimeve që kishte me partitë politike ditë më parë. /Botapress/