Mehdi Halimi do të jetë ambasador i ri i Kosovës në Francë, i cili do ta zëvendësoj ish-ambasadorin Qëndrim Gashi.
Kështu është bërë e ditur sot nga Ambasada e Kosovës në Paris, me ç’rast Halimi, sot ka dorëzuar letrat kredenciale tek autoritetet franceze.
“Me rastin e fillimit të detyrës, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, z.Mehdi Halimi, ka takuar drejtorin e Protokollit të shtetit francez, z.Philippe FRANC, me ç’rast i ka dorëzuar kopjen e letrave kredenciale”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Paris.
Kush është Mehdi Halimi?
Mehdi Halimi është profesor i asocuar në Universitetin e Prishtinës, teksa ka doktoruar në Gjuhësi në Universitetin e Parisit në vitin 2001.
Halimi në vitet 1994 – 1998, kishte punuar si profesor i frengjishtës në shkollën e mesme “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, teksa gjatë kohës së luftës kishte shërbyer si përkthyes dhe interpret në Paris dhe Lille.
Ai ishte pjesë e misionit diplomatik francez në Kosovë, ku mes viteve 2007 dhe 2010 punoi si përgjegjës në sektorin e vizave attache de presse në Ambasadën e Francës në Kosovë.
Halimi ka përkthyer tri libra në gjuhën shqipe “Letërsia në rrezik”, “Basti i intelegjencës”, “Shtigjeve të Inovacionit”, të cilat janë botuar në nëntor të 2007.
Më 19 maj të këtij viti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla mori vendim për shkarkimin e 12 ambasadorëve të emëruar politik, kthimi i të cilëve tha se do të bëhet më 30 gusht, e që sipas saj do të bëhet dërgimi i diplomatëve të rinj.
Një proces i tillë ende nuk ka përfunduar.
Procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj parashohin që ministrja e Jashtme të dërgojë për miratim në qeveri propozimet të cilat pastaj i përcjellën Kuvendit të Kosovës, komisioni për Punë të Jashtme e bënë intervistimin dhe përgatit raportin për secilin prej tyre, të cilin më pas e dërgon në Presidencë.
Ndërsa emërimi i ambasadorëve bëhet me dekretin e presidentit të vendit. /Botapress.info/