Gjykata Themelore në Prishtinë, ka nxjerrë konkluzionin në çështjen përmbarimore të Majlinda Lecajt ndaj Blerim Gashit, që ky i fundit, më 20 shtator të këtij viti të dorëzojë fëmijët te nëna e tyre (Majlinda Lecaj), sipas vendimit të gjykatës.
Në pikën e dytë të këtij konkluzioni, thuhet se përmbarimi i aktvendimit të cekur në këtë konkluzion do të bëhet përmes marrjes së fëmijëve të mitur M.G., e lindur më 2013 dhe E.G, i lindur më 2015 nga babai Blerim Gashi i cili jeton në lagjen Hajvalia në Prishtinë dhe dorëzimin e tyre tek nëna Majinda Lecaj e cila jeton në Gjermani.
“Urdhërohet Blerim Gashi që fëmijët E.G dhe M.G t’i sjellë në ambientet e Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Njësia 1, më datë 20.09.2024, nga ora 14.00”, thuhet në pikën e tretë të këtij konkluzioni.
Po ashtu, bëhet e ditur se marrja dhe dorëzimi i fëmijëve të mitur, do të bëhet me pjesëmarrjen e gjyqtarit të çështjes dhe psikologut të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë.
Gjykata, gjithashtu udhëzon Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke angazhuar staf përcjellës, punëtor social, pedagog e psikolog me qëllim të lehtësimit të këtij përmbarimi.
Pika e fundit e këtij konkluzioni, sqaron se nëse babai Blerim Gashi nuk vepron sipas këtij konkluzioni, do të aplikohen dispozitat e neneve 15 dhe 16 të LPP-së.
Para disa ditësh, Majlinda Lecaj kishte shkruar një letër, të cilën ua kishte dërguar organeve të drejtësisë, duke kërkuar që rastin e saj ta trajtojnë me urgjencë, pasi që i kishte kaluar limitet e pritjes.
“Ju lutem ta trajtoni rastin tim me urgjencë, pasi është një çështje shumë e ndjeshme dhe emergjente. Situata aktuale po ndikon rëndë në mirëqeinen e fëmijëve të mi dhe në të drejtat e mia dhe është e domosdoshme që të merrni veprime të menjëhershme”, kishte shkruar Lecaj.
Më 27 qershor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, kishe marrë vendim që në procedurën e divorcit në mes të çiftit Gashi, fëmija i madh t’i besohej babait, Blerim Gashit për kujdesje, i cili jeton në Prishtinë, ndërsa dy fëmijët më të vegjël t’i besoheshin nënës për kujdesje dhe edukim e cila jeton në Gjermani.
Ky vendim u vërtetua edhe në shkallën e dytë. Gjykata e Apelit, më 22 shkurt 2024 e konfirmoi vendimin e shkallës së parë, pa e ndryshuar atë, i cili u bë i plotfuqishëm po atë ditë, ndërsa rreth dy muaj më vonë, më 19 prill 2024 u bë i ekzekutueshëm.
Proces ky i filluar nga shtatori i vitit 2021.
Meqë prindërit nuk kishin raporte të mira, gjykata kishte vendosur që pranim-dorëzimi i fëmijëve nga njëri prind tek tjetri të bëhet përmes Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë. Këtu, Blerimi i sillte fëmijët deri në hyrje të objektit dhe përveç që nuk bëhej pranim-dorëzimi i fëmijëve, i parealizuar mbetej edhe takimi i nënës me fëmijët, me pretendimin e babait se “fëmijët nuk e duan nënën e tyre dhe nuk duan të shkojnë me të”