[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Pritet heqja e bllokadës energjetike nga Serbia



Ndërkombëtarët po presin që bllokada e shkaktuar nga Serbia ndaj Kosovës në sektorin e energjisë të zgjidhet brenda disa muajve.

Në një takim të mbajtur me anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, drejtues të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë kanë thënë se për këtë çështje janë duke u bërë diskutime intensive.

Sa i përket tri herë refuzimit të kompanisë serbe nga institucionet e Kosovës, ai ka thënë se është dashur t’i jepej kohë shtesë për plotësim të dokumentacionit dhe jo që ta refuzojnë menjëherë. Por, një sugjerim i tillë ngjalli reagim të menjëhershëm të anëtarëve të komisionit, të cilët ia sqaruan se pala serbe ka shkelur kushtet e marrëveshjes së arritur në Bruksel,  raporton KTV.

Kryetari i këtij komisioni ka paralajmëruar se është koha e fundit që të zgjidhet bllokada, ndryshe Kosova do të jetë e detyruar të ndërmarrë veprime që bien ndesh me rregullat e sekretariatit.Në raportin e prezantuar nga zyrtarët e sekretariatit është thënë se deri vitin e kaluar Kosova nuk ka pasur një plan për reduktimin e ndotjes dhe se afati që më 2020 të nisë reduktimi është shumë i largët.

Janë përmendur mangësitë në raportet e ZRRE-së, kurse plani i Kosovës që të arrijë prodhim të energjisë prej 25% nuk po shihet i realizueshëm sipas parametrave të paraparë. Shqetësim i madh është shprehur për fatin e Kosovës së Re, ndërsa është kërkuar që të hapet sa më shumë tregu për furnizues të ndryshëm të energjisë.