[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Prezantohet projekti për vendosjen e kamerave të sigurisë në Podujevë



Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, në takimin e sotëm, e ka vlerësuar stabile dhe të qetë gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës dhe ka shqyrtuar informatën për projektin e vendosjes së kamerave të sigurisë në qytet.

 

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e kryesuar nga kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka analizuar gjendjen e sigurisë, ka shqyrtuar informatën për projektin e vendosjes së kamerave të sigurisë në qytet, informatën për aktivitetet KKSB-së në vitin 2016 dhe propozimin e Planit të punës të KKSB-së për vitin 2017.

 

Në takimin e sotëm të KKSB ishin të pranishëm edhe Leon C. Lowder – përfaqësues i Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe  Ismet Zymeri – këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme.

 

Lidhur me gjendjen e sigurisë gjatë muajit janar raportoi komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, e cil i gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e ka vlerësuar të qetë dhe stabile.

 

Kapiteni Bislimi tha se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar rastet e raportuara kanë shënuar rënie për 50 për qind. Ndërsa, përmendi suksesin e arritur në identifikimin dhe arrestimin e 13 personave të dyshuar për raste të ndryshme të vjedhjeve. 

 

Si problem shqetësues kapiteni Bislimi e potencoi rrezikun që paraqesin qentë endacakë, të cilët gjatë ditëve të fundit kanë sulmuar tre fëmijë.

 

Edhe përfaqësuesi i KFOR-it gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e ka vlerësuar të qetë dhe stabile.

 

Lidhur me gjendjen e sigurisë, Kryetari Veliu, tha se gëzon fakti se në Komunën e Podujevës kemi një gjendje të mirë të sigurisë.

 

“Veçmas është inkurajuese që kemi rënie të rasteve të ndryshme të veprave kriminale. Komuna jonë vazhdon të jetë e qetë dhe e pa atakuar nga elementë që promovojnë radikalizmin dhe ekstremizmin fetar. Një problem që na shqetëson dhe që kërkon zgjidhje të shpejtë është çështja e qenve endacakë dhe lidhur me këtë çështje po kërkohet një zgjidhje urgjente në nivel vendi”, tha kryetari Veliu.

 

Lidhur me gjendjen e sigurisë foli edhe Bekim Jashari – kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë, duke thënë se Podujeva vazhdon të jetë ndër komunat më të qeta, ku praktikohet islami tradicional dhe ku nuk kanë gjetur vend elementë të ekstremizmit dhe radikalizmit fetar.

 

Në takimin e sotëm komandanti i Stacionit të Policisë, kapiteni Bekim Bislimi, ka prezantuar edhe propozim projektin për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet.

 

Lidhur me këtë projekt kryetari Veliu tha se Komuna ka përkrahur këtë iniciativë me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë për qytetarët. Kryetari Veliu tha se duke pasur parasysh se ky projekt ka një kosto buxhetore, Komuna e Podujevës do ta ndihmojë financiarisht, por tha se përkrahje edhe nga institucione të tjera.

 

Projektin e vendosjen e kamerave të sigurisë e vlerësoi edhe përfaqësuesi Ambasadës Amerikane në Kosovë, Leon C. Lowder, i cili shprehu gatishmëri për mbështetje të këtij projekti.

 

Në takimin e sotëm KKSB shqyrtoi informatën për aktivitetet KKSB-së në vitin 2016 dhe propozimin e Planit të punës të KKSB-së për vitin 2017, i cili do të procedohet për miratim në Kuvend.