Botapress, 16 Mars – Presidenti Joe Biden do të udhëtojë në Evropë javën e ardhshme për bisedime kokë më kokë me liderët evropianë rreth pushtimit rus të Ukrainës, njoftoi të martën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Biden do të takohet me liderët evropianë në një samit të jashtëzakonshëm të NATO-s në Bruksel më 24 mars. Ai do të marrë pjesë gjithashtu në një samit të planifikuar të Këshillit Evropian, ku janë duke u zhvilluar përpjekjet për të vendosur sanksione, dhe po bëhen përpjekje të mëtejshme humanitare.
“Derisa të jetë atje, qëllimi i tij është të takohet personalisht ballë për ballë me homologët e tij evropianë dhe të bisedojë, të vlerësojë se ku jemi në këtë pikë të konfliktit në pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ne kemi qenë jashtëzakonisht të lidhur deri më sot”, tha Psaki. “Kjo nuk ndodh rastësisht. Presidenti është një besimtar i madh në diplomacinë sy më sy. Pra, është një mundësi për të bërë pikërisht këtë”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi udhëtimin e presidentit pak përpara se Biden të nënshkruante të martën një projektligj që siguron 13.6 miliardë dollarë ndihmë shtesë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën, si pjesë e një mase të shpenzimeve qeveritare prej 1.5 trilionë dollarësh.
Bideni tha në ceremoninë e nënshkrimit të projektligjit se SHBA-ja “po lëvizte urgjentisht për të shtuar më tej mbështetjen për popullin e guximshëm të Ukrainës, ndërsa ata mbrojnë vendin e tyre”.
Udhëtimi pason vizitën e zëvendëspresidentes Kamala Harris në vendet e krahut lindor të NATO-s, Poloni dhe Rumani, javën e kaluar për të diskutuar me liderët krizën në rritje të refugjatëve në Evropën Lindore të shkaktuar nga pushtimi rus dhe për të nënvizuar mbështetjen e administratës Biden për aleatët e NATO-s.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Zbigniew Rau, tha të martën se një vizitë e Bidenit në Poloni ishte “shumë e mundshme” kur ai të shkonte në Evropë. Më shumë se 1.8 milionë ukrainas kanë ikur në Poloni që nga fillimi i luftës, kanë bërë të ditur Kombet e Bashkuara. Më shumë se 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina qëkur Rusia filloi pushtimin e saj.
“Do të ishte e vështirë të imagjinohej një vend më i mirë për Shtetet e Bashkuara dhe për të gjithë aleancën për të theksuar pozicionin e tyre sesa lidhja më e ndritshme në krahun lindor, që është Polonia”, ka deklaruar Rau.
Psaki tha se nuk kishte detaje shtesë nëse Biden do të vizitonte Poloninë gjatë udhëtimit.