[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Premtimet e dështuara të Hashim Thaçit për liberalizimin e vizave



Me gjithë premtimet për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës nga krerët e lartë shtetëror, që u premtuan edhe në vitin 2016-të, qytetarët e Kosovës prapëseprapë e mbyllën vitin të izoluar nga lëvizja e lirë në zonën Schengen.

Në krye të listës me më së shumti premtime në këtë proces qëndron ish-kryeministri i vendit, tash president i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili deklarime e premtime për lëvizje të lirë ka bërë pothuajse çdo vit. Premtime këto të cilat nuk u realizuan kurrë.

Në vitin 2010, Thaçi u kishte premtuar qytetarëve që gjatë 15 muajve të qeverisjes së tij do të lëviznin lirshëm pa viza në vendet e Bashkimit Evropian.

“Gjatë 15 muajve të mandatit tonë të ardhshëm qeverisës, Qeveria që do ta udhëheq unë, do t’i përmbush të gjitha kriteret demokratike për lëvizje të lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa viza në tërë Evropën. Ne si shteti më i ri në botë, shteti i mundësive të mëdha, si evropianet me të rinj do të jemi evropian krenarë në Evropën e bashkuar”, tha ai.

Premtimet shpresëdhënëse të Thaçit s’kishin të ndalur as në vitet pasuese. Ai vazhdonte të kishte kryefjalë të premtimeve liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Edhe në vitin 2013, ish-kryeministri Thaçi deklaroi se javët dhe muajt në vijim, do të jenë vendimtarë për liberalizimin e vizave.

“Javët dhe muajt në vijim janë vendimtarë për procesin e liberalizimit të vizave. Shumica e kritereve tashmë i kemi zbatuar, kështu që mos të lejojmë asnjë kohë por edhe pjesën e mbetur që të vonohemi në këtë proces, të mos lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe angazhimit të vonohet lëvizja e lirë e shtetasve tanë pa viza në BE”, tha ai.

Premtimet mbetën të njëjta nga viti në vit, ndërkohë që qytetarët vazhdonin të prisnin para ambasadave për t’u pajisur me viza, të cilat me vështirësi vazhdojnë t’i marrin edhe sot. Kosovarët edhe në vitin 2017-ën po hyjnë si populli i vetëm i izoluar nga lëvizja e lirë në Evropë për dallim nga të gjithë shtetet tjera të Ballkanit. Dy kushtet finale për plotësim nga institucionet e Kosovës karshi kërkesave të BE-së, vazhdojnë të mbeten të paplotësuara, më shumë për inate dhe favore politike.

Analisti Imer Mushkolaj thotë për KosovaPress se po t’i besonim premtimeve të ish-kryeministrit Thaçi, kosovarët tash e pesë vjet do të duhej të lëviznin lirshëm. Ai nuk ka shpresë se viti i ri do të sjellë liberalizim për qytetarët e Kosovës.

Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, thotë se Kosova do të vazhdojë të jetë e getoizuar përderisa ka një qeverisje të tillë çfarë e kemi.

Edhe Donika Kadaj-Bujupi nga VV, thotë se nuk do të ketë liberalizim, përderisa nuk ekziston vullneti politik për të luftuar korrupsionin në nivele të larta.

Vjosa Osmani, deputete nga radhët e LDK-së, thotë se liberalizimi i vizave nuk varet nga qeverisja në Kosovë. Ajo thotë se edhe Kosova e ka merituar liberalizimin e vizave, pasi një gjë të tillë e mori Gjeorgjia e Ukraina, por për Kosovën po përdoren standarde të dyfishta.

Edhe Shaip Muja, deputet i PDK-së, thotë se ka humbur shpresën për qasje pozitive nga ana e BE-së, sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai i quan të parsyeshme kriteret e vëna, e jo mos plotësimin e tyre nga ana e Qeverisë.

Kosova do të ketë edhe një shans të fundit për liberalizimin e vizave deri në muajin shkurt të vitit 2017.

Por kjo do të ndodhë vetëm nëse parlamenti i Kosovës, e voton marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, në këtë mënyrë Kosova do të rikthehej në të ashtë quajturën “Pakon”, në të cilën momentalisht janë Gjeorgjia dhe Ukraina, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.