[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Prekëse: Ja se çka i shkruante Jakup Krasniqi nënës së tij gjatë kohës sa ishte në burg



Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, gjatë kohës sa ishte i burgosur në burgjet e ish-Jugosllavisë i shkruante nënës së tij një letër, në të cilën e porosiste që të qëndronte  e fortë siç kishte qëndruar gjithmonë.

Më poshtë  e keni letrën e plotë të Krasniqit, drejtuar nënës së tij:

Novi Sad, më 2.2.1987

Shumë e dashura nënë,

NËNËLOKES sime dy fjalë dua t’ia shkruaj. Nënëlokja ime, hallemadhja ime, qëndro si ke qëndruar edhe kur koremane haje? Koremane haje me pak shëllirë e pak djathë dhe punët në shtëpi dhe në arë i bëje e fëmijës në djep vajin ia ndalje, dhembjen ia mposhtje bashkë me urinë, e lart e mbaje krenarinë. Për birin që s’e sheh mos u dëshpëro se ai gjithnjë të do . Ai është larg, po zemra i rrahë aty ku je ti. Ai mendon e bisedon edhe zgjuar, edhe në gjumë vetëm për ty. Ai mendon edhe për hallet që të shtohen nga dita në ditë . Do që dhembje të kesh sa më pak dhe mysafirit t’i japësh hak. E di që dhembjet të janë shtuar se koha është e ligë, po në jetë vijnë gjeneratat e reja e dhembjet t’i lehtësojnë dhe mungesën e bijëve ta plotësojnë. E ne shpejt do të jemi në vatrën tonë. Mos e merr rrugën e gjatë për të ardhur tek unë. Se unë me krahët e lehtë vij si pëllumb. E ti nënëlokja ime me gojë nuk flet, po edhe në heshtje zemra të flet. Fjalët i ke të pakta , po me kimet , lum gjithkush për nënëloken e vet.

 Duart i ke me kallo, po bëjnë dritë. Buka e duarve tua është më e mirë se çdo simite. Nënëlokja ime, jo vetëm bukës po edhe fjalëve u qet kripë, se ajo më thoshte shpesh: “Biro në dheun tonë edhe buka edhe fjala duan kripë”.(…)

I yti për jetë të jetëve, Jakupi

(Kjo letër është botuar në librin “Letra nga burgu”, në vitin 2004).