Adem Lushaj
Zyrtar të Këshillit dhe Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, me qëllim të marrjes së praktikave
më të mira në dhënie të ndihmës juridike për qytetar, ishin për vizitë në Slloveni, me ftesë të
Gjykatës Supreme të këtij shteti evropian. Ata, pos zyrtarëve të Gjykatës Supreme, ishin takuar
edhe me përfaqësues të Odës së Avokatëve. Paraprakisht, delegacioni nga Kosova ishte pritur
nga Nexhmi Rexhepi, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni dhe Gani Mulliqi,
sekretari i parë i kësaj Ambasade, të cilët kanë njoftuar për gatishmërinë e shtetit mik të
Sllovenisë, për ta ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e zhvillimit, qoftë të integrimeve,
ashtu edhe për përkrahje në sektorët e ekonomisë. “Përvojat e Sllovenisë mund të ndihmojnë
Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit, sikurse që do ndihmojnë në forcimin e institucioneve të
drejtësisë, këtë rast edhe të ndihmës juridike falas për qytetarët”, është shprehur Ambasadori
Rexhepi, i cila ka njoftuar edhe për gjendjen e shqiptarëve në shtetin slloven, ku ka edhe biznese
të suksesshme që udhëhiqen nga shqiptarët.
Ndërsa, zyrtar të Gjykatës supreme sllovene, kanë njoftuar kosovarët për organizimin e gjyqësisë
së këtij vendi, duke prezantuar edhe praktikat që përdorin për ofrimin e ndihmës juridike pa
pagesë për qytetarët e këtij vendi, por edhe të tjerëve që kanë qëndrim të përhershëm apo të
përkohshëm në Slloveni. Jasha Vrabec, këshilltar i lartë gjyqësor në Gjykatën Supreme, ka
informuar për mënyrën e organizmit të sistemit të drejtësisë në shtetin e tij, e sipas këtij sistemi,
bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, është e rregulluar edhe mënyra e dhënies së ndihmës juridike
falas për qytetarët, jo vetëm të Sllovenisë, e të cilët plotësojnë kushtet ligjore për marrjen e
përkrahjes juridike pa pagesë. Edhe Tina Shkof, përgjegjëse në Gjykatën Supreme, Erik
Kersevan, gjyqtar i Gjykatës Supreme dhe Alenka Kosir, nga Gjykata e Qarkut të Lubjanës, kanë
prezantuar sistemin e drejtësisë sllovene për dhënie të ndihmës juridike për qytetarët që nuk kanë
mundësi të angazhojnë avokat, gjë që kishte zgjuar interesimin e zyrtarëve nga Kosova e të cilët
merren me çështje të njëjta të dhënies së ndihmës juridike për qytetarët e Kosovës.
Delegacionin nga Kosova e kishte pritur edhe Tanja Marushiq, nënkryetare e Odës së Avokatëve
të Sllovenisë, e cika ka treguar për punën që bëjnë avokatët e këtij shteti, në mbrojtjen e
qytetarëve me mundësi të kufizuara buxhetore. Mirëpo, Marushiq ka inkurajuar kosovarët që të
marrin praktika nga ky shtet, por gjithsesi të bazohen në rrethanat në të cilat jetojnë qytetarët e
Kosovës.
Takimet në institucionet e drejtësisë sllovene, praktikat e prezantuara të zyrtarëve të këtyre
institucioneve, janë mirëpritur nga bartësit e institucioneve kosovare që merren me dhënien falas
të shërbimeve juridike për qytetarët që plotësojnë kriteret sipas Ligjit të Republikës së Kosovës.
Baki Gimolli, kryesues i Këshillit dhe Ramadan Gashi, drejtori i Agjencisë për Ndihmë Juridike
falas, janë shprehur të kënaqur nga pritja dhe praktikat e prezantuara nga zyrtar të institucioneve
sllovene, praktika këto që ndihmojnë në punën e përditshme dhe avancimin e shërbimeve në
përkrahje të qytetarëve në çështjet e nevojshme të tyre juridike, përkrahje që iu garantohet të
gjithë qytetarëve që plotësojnë kushtet sipas Ligjit për Dhënie të Ndihmës Juridike Falas, të
Republikës së Kosovës.