Policia zbarkon përsëri në klinikën e Gjinekologjisë

Policia e Kosovës ka zbarkuar përsëri në klinikën e Gjinekologjisë, në QKUK, thonë burimet e Insajderit.Ende nuk dihet arsyeja përse policia ka shkuar në vendin e ngjarjes. Gazeta Insajderi ka kontaktuar policin për të marr informacione lidhur me zbarkimi e tyre por të njëjtit nuk kanë janë përgjigjur.

Mbrëmjen e së mërkurës 35 vjeçarja, Hamide Magashi u vra nga ish-burri i saj, Sokol Halili para dyerve të Klinikës së Gjinekologjisë, në QKUK. Ajo ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe pritej që sot ta sillte në jetë foshnjën e saj.

LEXO EDHE KETE

Nesër varroset 35-vjeçarja që dyshohet se u vra nga ish-burri i saj

Kronologjia e vrasjes mizore të Hamide Magashi

Një grua e re 35 vjeçare me foshnjën e saj që pritej ta sillte në jetë brenda këtyre dy ditësh, u vra nga ish-burri i saj, në duar të shtetit. E ndjera e kishte denoncuar për dhunë ish-burrin dhe ishte në proces divorci derisa ndaj vrasësit të saj ishte ngritur aktakuzë për “Kanosje”, kishte edhe një urdhër gjykate të mos i afrohej asaj. Ishte kapur edhe me armë zjarri, por Gjykata Themelore e Ferizajt e dënoi vetëm me gjobë. Por, përkundë të gjitha këtyre, Sokol Halili ishte lënë i lirë nga organet e drejtësisë, aq sa të thyente urdhrin e gjykatës e me armë zjarri, brenda hapësirës së një institucioni tjetër shtetëror – QKUK – të merrte dy jetë lehtësisht

Vrasjet më të rënda të grave në Kosovë nga bashkëshortët e tyre, e kanë një të përbashkët të hidhur. Për kërcënimet, dhunën psikike e fizike, është i njoftuar zyrtarisht edhe shteti. Respektivisht policia, prokuroria e gjykata.

Edhe në rastin e mbrëmshëm vrasësi Sokol Halili, ishte person i njohur për këto tri hallka të drejtësisë.

Ish-bashkëshortja e tij, tani e ndjera Hamide Magashi e kishte denoncuar Halilin në polici për dhunën që e ushtronte ai. Këtë e ka bërë para disa muajsh.

Dhunën ndaj tashmë të ndjerës e kanë konfirmuar edhe familjarë të saj. Motra dhe dhëndri i saj, nga QKUK-ja aty ku edhe ndodhi krimi makabër deklaruan se e ndjera ka katër muaj që është ndarë nga vrasësi pasi ai ushtronte dhunë ndaj 35 vjeçares. Ajo ishte në muajin e fundit të shtatzënisë dhe brenda dy ditësh pritej ta kryente lindjen.

Lidhur me denoncimin e saj në polici, prokuroria Themelore e Ferizajt, kishte nisur hetimet. Me 10 gusht ajo e ngriti aktakuzën.

Ky institucion e ngarkonte Halilin me veprën penale “Kanosje”.

“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M”, thuhet në konfirmimin e Gjykatës së Ferizajt.

Halili, në seancën e parë që është mbajtur për këtë rast me kishte kundërshtuar aktakuzën, me arsyetimin se nuk e pranon fajësinë për veprën penale.

“Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet”

Gjykata me datë 18 nëntor ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.

Pas një muaji, nga ngritja e aktakuzës, zyrtarisht u kërkuar edhe urdhër mbrojtje ndaj 35 vjeçares Hamide Magashi. Këtë e bëri Zyra për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj.

“Me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje”, thuhet në konfirmimin e gjykatës.

Me 13 shtator, gjykata lëshoi vendimin për udhërmbrojtje. Rrjedhimisht ish-bashkëshorti Sokol Halili, nuk do të guxonte t`i afrohej ish-bashkëshortes me të cilën sipas familjarëve ishte në proces divorci.

Sipas këtij vendimi, Hamide Magashi ishte në mbrojtje të shtetit për gjashtë muaj. Urdhëri i gjykatës do të duhej të zbatohej nga policia e Kosovës.

“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2022”.

“Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës”, thuhet më tej në konfirmimin e Gjykatës së Ferizajt.

Brenda periudhës gjashtë mujore sa ishte në fuqi urdhëri për mbrojtjen e Hamide Magashit, edhe një zhvillim tjetër kishte ndodhur në organet e drejtësisë.

Sokol Haliti, që ishte kapur nga Policia e Kosovës me armë të zjarrit, shpëtoi lehtësisht edhe përkundër që kishte aktakuzë për kanosjen e bashkëshortes dhe urdhër të prerë që të mos i afrohej.

Gjykata i dha vetëm dënim me gjobë, shkruan Gazeta Insajderi.

“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”, thuhet në konfirmimin nga gjykata.

Gjatë krejt kësaj periudhe prej muajit gusht e deri natën kritike, Sokol Halili ishte lënë i lirë nga paraburgimi.

Halili e vrau ish-gruan dhe foshnje që pritej ta sillte në jetë brenda këtyre ditësh, por u largua pa arritur të kapej nga Policia. Ndodhet në arrati edhe pas gati 20 orësh prej kur kreu vrasjet. Derisa trupi i Hamide Megashit ndodhet në Institutit të Mjekësisë Ligjore për Obduksion. /Botapress.info/

ngjashme