Aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë mbajtur sot një aksion para objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku kanë kërkuar dorëheqjen e Ministres Donika Gërvalla.
Për këtë aksion ka dhënë detaje Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Polcisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i ka thënë Expressit se dy persona janë shoqëruar në stacion.
Sipas tij, aktiviteti s’ka qenë i lajmëruar.
“Rreth orës 15:00 është pranuar informata për një aktivitet të paparalajmëruar nga një grup personash te Ministria e Punëve të Jashtme. Me qëllim të sqarimit të rrethanave për disa veprime të ndërmarra nga këta persona, dy prej tyre janë shoqëruar në stacionin policor. Ndërkaq në përputhje me rekomandimet e prokurorit të shtetit policia po ndërmerr veprimet vijuese”, ka thënë Borovci.
Zyrtarët e shoqëruar në Polici janë Donjet Bislimi dhe Florent Lushtaku. Lajmin e ka konfirmuar vetë Bislimi.
“Po, unë isha bashkë me nënkryetarin e rinisë, Florent Lushtakun, të shoqëruar në stacion”, ka thënë Bislimi./Gazeta Botapress/