[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Policia dhe FSK-ja në pritje të helikopterëve! (Foto)



Institucionet e sigurisë në Kosovës ende nuk janë pajisur me helikopterë, ndonëse i posedojnë njësitet kompetente.

Policia dhe FSK-ja kanë dhënë sqarime rreth kësaj çështje e cila e “hendikepon” në mas të madhe sigurinë ajrore të vendit.

Zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha ka konfirmuar për “Indeksonline” se policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që bien në kompetencë të saj, qoftë në aspektin e parapërgatitjeve të rregullimit të organizimit strukturor apo edhe të parapërgatitjeve për përshkrimin e nevojshëm të detyrave dhe përgjegjësive që ndërlidhen me këtë njësitë.

Sipas tij, blerja e helikopterëve do të bëhet në momentin kur të krijohen mundësitë financiare. “Të gjitha veprimet për jetësimin e këtij projekti ne vazhdimësi do të varen edhe nga akteret tjerë pasi që të krijohen edhe mundësitë buxhetore”, është shprehur ai.

Nga ana tjetër, FSK-ja thotë se aktualisht nuk posedon asnjë helikopterë.  Mirëpo, sipas tyre, me rekomandimet e dala pas Rishikimit të Strategjisë të Sektorit të Sigurisë së Kosovës, ky aset është rekomanduar të jetë qeveritar, pra helikopterët të jenë aset i përbashkët i disa ministrive (MFSK, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Shëndetësisë, etj.).

“FSK-ja ende nuk ka pjesëtarë të shkolluar dhe trajnuar për drejtimin dhe mirëmbajtjen e helikopterëve”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni dhënë për “Indeksonline”.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni ka njoftuar se kryeministri Isa Mustafa në konsultim me ministrat e sigurisë, ka krijuar një grup i cili është duke ndërtuar elaboratin për pajisjen jo vetëm të Policisë së Kosovës por edhe institucioneve tjera me helikopter.

Hyseni ka deklaruar se çështja e helikopterit është e domosdoshme dhe do të gjenden edhe financat. “Jemi duke punuar që kjo punë të kryhet sa më shpejt”, ka deklaruar ai gjatë një mbledhje të komisionit parlamentar.

Vlen të theksohet se në faqe të ndryshme të internetit janë publike edhe çmimet e helikopterëve. Vlera e tyre shkon nga 15.000 e deri në miliona euro.