Botapress, 3 Maj – Kryeministri Rama ka sulmuar sot gazetën prestigjoze austriake ‘derStandart’, e cila i përmendte emrin si njërit prej iniciatorëve të ndarjes së Kosovës dhe të zgjidhjes së çështjes mes Prishtinës dhe Beogradit me shkëmbim territorresh dhe popullësish. “Çfarë zhgënjimi të shohësh një gazetë me kaq reputacion të lartë të sillet si një përhapës i lajmeve të rreme…kurrë nuk kam mbështetur ndonjë ndryshim të kufijve etnikë midis Serbisë & Kosovës! # Turpëruese” ka shkruar kryeministri.
Por kjo temë që është rimara disa herë në shtypi ndërkombëtar e do një shpjegim. Kush gënjen, Rama apo ‘derStandart’? Sepse në fakt historia e tentativës për të coptuar Kosovën ka të thënat dhe të pathënat e saj.
Natyrisht, për hir të së vërtetës, nuk ka asnjë deklaratë publike të kryeministrit ku kjo ide të jetë mbështetur hapur. Por një gjë të tillë nuk e kanë bërë as Thaçi dhe Vuçiçi që tashmë dihet botërisht se kanë mbështetur këtë ide gjë që e konfirmoi në rrefimet e tij edhe John Bolton.
Po të lexosh me vëmendje qëndrimin zyrtar të qeverisë së Tiranës, ai duket korrekt dhe i matur. Formula është e përcaktuar me kujdes: “Shqipëria mbështet një zgjidhje që ka konsensus mes palëve në Kosovë dhe një marrëveshje që mbështetet nga SHBA dhe Bashkimi Europian”.
Nëse i referohesh këtij qëndrimi gjithçka është Ok dhe qeveria shqiptare duket jashtë kulisave me vizatime hartash që janë skicuar në Bruksel apo Romë.
Por realiteti është pak më i ndryshëm.
Prandaj për të hulumtuar për rolin që ka luajtur kryeministri shqiptar duhen parë takimet që ai ka pasur me faktorë të tjerë ndërkombëtarë dhe qëndrimet që ka mbajtur kur është hapur kjo temë.
Dëshmia e parë ka ardhur nga ish kryeministri suedez dhe njohësi i mirë i Ballkanit, Karl Bild (lexo poshte). Kur ai e kundërshtoi që në gusht të vitit 2018 propozimin e presidentit Thaçi, në një shkrim në Washington Post, Bild theksoi se gjatë një bisede, Rama i pati thënë se qe i hapur ndaj kësaj ideje.
Rama filloi të jepte sinjalet e para, një muaj e gjysëm pasi Hashim Thaçi e bëri publik qëndrimin e tij ne gusht 2018.
Ai u shfaq në emisionin “Open” të Eni Vasilit ku çuditi me qëndrimet që mbajti.
Pavarësisht se këmbënguli disa herë se ishte shpejt që ai të prononcohej: “Kjo ende nuk është një platformë por vetëm një ide, ndaj unë nuk mund të përgjigjem”, ai lëshoi edhe fraza që do të mbahen mend gjatë.
Ai në një farë mënyre konfirmoi zërat se ishte pjesë e asaj marrëveshjeje që do të copëtonte Kosovën, pjesa e mbetur e së cilës do të bashkohej në një Shqipëri më të madhe. “Pse nuk flisni për mundësinë e bashkimit kombëtar”, “kjo mundësi mund të mos na jepet më edhe për 30 vjet”, shtoi ai. Rama këmbënguli se “në mendimin tim SHBA është pro marrëveshjes” (lexo poshte) duke zgjedhur vetëm argumenta që shkonin në favor të saj.
Por, kulmin kryeministri shqiptar e arriti duke bërë në këtë intervistë, atë që s’do ta kishte imagjinuar kurrë ta nxirrte nga goja më parë. Në prill 2018, ai i pati premtuar Angela Merkelit në një takim në Berlin, se ishte kundër aventurës së shkëmbimit të kufijve, por kur u pyet në “Open” për divergjencat me kancelaren ai guxoi: “Merkel mund të jetë kundër, por këtu flasim për atdheun tonë dhe jo për atë të kancelares”. Mjafton të shihet e të rishihet videoja poshtë, për të kuptuar qëndrimi që Rama ka pasur në atë kohë.
Tre muaj më pas, ai vazhdoi në të njëjtën rrugë. Gjatë vizitës folklorike në Prishtinë dhe në Pejë, Rama doli hapur në mbështetje të presidentit Hashim Thaçi që ishte vënë në syrin e ciklonit pikërisht për shkak të lojës okulte të shkëmbimit të territoreve që po bënte me Vuçiçin. Rama, natyrisht nuk e përkrahu publikisht idenë, por sulmoi të gjithë kundërshtarët e Hashimit me shprehjen tashmë të famshme: “Kush i thotë Thaçit tradhëtar vetë është gomar”.
Ndërsa në janar 2019, ai e hoqi maskën kur shkarkoi nga detyra ministrin e jashtëm Ditmir Bushati, që kishte mbajtur të njëjtin qëndrim si Merkel, për hapjen e kutisë së Pandorës, duke e zëvendësuar atë me Gent Cakajn.
Pra për më shumë se një vit (nga gushti 2018 deri në samitin e Berlinit, Maj 2019) kryeministri shqiptar ka bërë gjithçka ka pasur në dorë, në qëndrimet publike (përveç bisedave dhe angazhimeve private) për ta shtyrë përpara projektin e ndryshimit të kufijve në baza etnike.
Dhe qëndrimet e tij qenë të njëjta, deri në momentin kur edhe vetë Hashim Thaçi filloi të zbusë tonet dhe të flasë për ndryshime të vogla të vijës kufitare si ato që Kosova bëri gjatë demarkacionit me Malin e Zi.
Pas kësaj, Edi Rama u kthye sërish tek teza korrekte zyrtare se Tirana mbështet çdo zgjidhje që e pranon Kosova dhe që e mbështesin SHBA dhe BE.
Por, pavarësisht nga kjo, në rrugën 1o-mujore të aventurës për ndryshimin e kufijve, Edi Rama nuk ka lënë pak gjurmë. Jo më kot edhe ish kryeministri Kosovar Ramush Haredinaj edhe ish ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç, e kanë përmendur atë mes autorëve që përpunuan një plan me harta dhe shkëmbim kufijsh. Nuk ka dyshime se ai e ka përkundur në ëndrra këtë ide, nga e cila priste një bashkim të mundëshëm me Kosovën e cunguar, pas ndarjes. Pra ‘derStandard’ duket se nuk ka bërë agjë të turpshme. Thjeshtë ka relatuar faktet, shkruan Lapsi.al, percjelle Botapress.