[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Po vijnë bijat!



Kosova dhe Shqipëria e dinë se do të luajnë kundër njëra-tjetrës në parakualifikimet e “Botërorit 2019” për Femra. Po ashtu, i dinë edhe emrat e dy shteteve të tjera kundërshtare të grupit: Greqinë dhe Maltën. Por, tash për tash asnjëra prej dy shteteve shqiptare nuk e dinë se cilat futbolliste do t’i kenë në dispozicion në sfidat që i presin në muajin prill. Kjo pasi për Shqipërinë deri më tani kanë luajtur një numër i madh i vajzave nga Kosova, e cila debuton për herë të parë në gara ndërkombëtare. Ndërsa seleksionuesja kosovare, Afërdita Fazliu, ka konfirmuar se do të bisedojë me të gjitha futbollistet kosovare të Shqipërisë për t’i pyetur nëse duan t’i bashkohen reprezentacionit kosovar apo për të vazhduar me Kombëtaren e Shqipërisë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Janë mbi 15 vajza kosovare, të cilat i kanë mbrojtur deri më tani ngjyrat e Shqipërisë, e cila edhe sot në radhët e veta ka mbi dhjetë lojtare nga Kosova ose me prejardhje nga shteti i ri, si: Viona Rexhepi, Sara Maliqi, Furtuna Velaj, Kujtime Kurbogaj, Naime Merovci, Lavdie Begolli, Geldona Morina, Arbiona Bajraktari, Marigona Zani, Valbona Lipa, Suada Jashari, etj. “Deri më tash Qëndresa Krasniqi ka konfirmuar se do të kthehet të luajë për Kosovën. Do të bisedojmë në ditët në vazhdim për mundësitë e kthimit, nëse kjo është dëshira e lojtareve. Është një numër i madh i lojtareve që luajnë për Shqipërinë, një numër që varion nga 5 deri në 8 në totalin e 18 vajzave”, ka thënë për “Zërin” përzgjedhësja kosovare, Afërdita Fazliu.

Siç dihet, rregullat e UEFA-s nuk lejonin që djemtë kosovarë të Shqipërisë t’i bashkoheshin Përfaqësueses së Kosovës pasi paraprakisht ata i kishin mbrojtur ngjyrat kuqezi në “Euro 2016” pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA. Procedurave të njëjta duhet t’u nënshtrohen edhe femrat që planifikojnë t’i bashkohen Kosovës, por në dallim prej meshkujve, shumica nga to me gjasë do të kenë të drejtë t’i bashkohen Kosovës, sepse ato nuk kanë marrë pjesë në ndonjë garë të nivelit aq të lartë me Shqipërinë pas ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar. “Me përzgjedhjen e lojtareve, formacionin dhe gjëra të tilla merret përzgjedhësja e Kosovës varësisht, siç vlerëson ajo, se sa i duhen ato vajza skuadrës sonë përfaqësuese.

Por, kjo varet edhe nga vullneti i futbollisteve se a duan të luajnë për Kosovën apo të vazhdojnë për Shqipërinë”, thotë për “Zërin” anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Vjollca Krasniqi. “Për ne gjëja më e mirë do të ishte që ta kemi një skuadër sa më të kompletuar, duke përfshirë edhe vajzat nga Kosova që aktualisht janë pjesë të Shqipërisë, por ne nuk mund t’u përzihemi në vendimmarrjet e tyre për karrierën e tyre, por megjithëkëtë i mbetet përzgjedhëses sonë të merret me këtë çështje”, theksoi Krasniqi, duke shtuar se FFK-ja nuk e ka pritur mirë shortin shkaku i prezencës së Shqipërisë në të njëjtin grup.