Ende asnjë gjurmë nga “tualeti i artë”, vepra prej 5 milionë dollarësh që u grabit nga ambientet e muzeut “Blenim Palas” në Britaninë e Madhe në vitin 2019. I quajtur ndryshe “Amerika”, tualeti prej ari 18 karat dyshohet se është shitur në tregun e zi. Siguruesit e veprës ofrojnë shpërblim deri në 100,000 dollarë për këdo që jep informacion për grabitësit.
Drejtori i Kompanisë së Sigurimeve, Philip Austin tha: Askush nuk ka dalë ende për paratë e shpërblimit … Fillimisht kishte shumë kërkime, por tani gjithçka është qetësuar.
Më herët në 2019, detektivi Charley Hill hodhi dyshimin se tualeti ishte copëtuar dhe më pas ari është shkrirë e shitur në tregun e zi.
Më 14 shtator një bandë hyri në shtëpinë madhështore të shekullit të 18’të dhe shkaktoi “dëme të mëdha e përmbytje” sepse tualeti ishte funksional në ndërtesë.
Vepra është në pronësi të një individi privat dhe ishte pjesë e një ekspozite të artistit konceptual italian Maurizio Cattelan, para se të grabitej.
Në 2016, kur u ekspozua në muzeun Gugenim të New York, vizitorët në të arritën një rekord absolut, rreth 100 mijë persona.