[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Plani për terror në Vjenë, a kanë lidhje në Shqipëri 2 të arrestuarit?



Arrestimi i dy të rinjve shqiptarë në Austri dhe Gjermani ka bërë që edhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit të nisë verifikimet për ndonjë bashkëpunëtor të mundshëm, apo lidhje me ushtarë të ISIS.

Deri tani, policia shqiptare nuk ka pasur informacione apo të dhëna mbi veprimtarinë e dy të rinjve, të arrestuar si të dyshuar për përfshirje, apo përgatitje të akteve të mundshme terroriste në Vjenë dhe Dyseldorf. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se asnjëri nga dy personat nuk ka qenë i njohur për tendenca të tilla në vendin tonë.

Të njëjtat burime konfirmuan se 18-vjeçari i arrestuar nga autoritetet austriake në Vjenë, shtetasi Lorenz K., ka nënshtetësi gjermane dhe ka lindur atje, ku momentalisht jeton edhe familja e tij. Nga ana tjetër, ky person rezulton të ketë shumë pak hyrje-dalje në territorin shqiptare, vite më parë, por jo gjatë kohëve të fundit.

Të njëjtat verifikime janë kryer edhe për shqiptarin tjetër që është arrestuar në Gjermani, me dyshimet se ka qenë bashkëpunëtor i shtetasit Lorenz K. Burimet thanë se oficerët e Antiterrorit kanë vënë menjëherë kontaktet me oficerët e policisë gjermane dhe austriake për të shkëmbyer informacionet e nevojshme, në lidhje me hetimet që tashmë kanë nisur për sulme të mundshme terroriste atje. Deri tani, nuk ka rezultuar që ata të kenë bashkëpunëtorë në Shqipëri, apo të kenë ushtruar të njëjtin aktivitet në vendin tonë. Panorama