Shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, nuk i ka pranuar rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ta shtyjë për 10 muaj vendimin për ri-regjistrimin e targave ilegale serbe në ato RKS.
Megjithatë, si të drejtë këtë vendim po e vlerëson Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips.
Zyrtare: Presidentja cakton datën e zgjedhjeve për komunat në veri
Ai thotë se Kosova është një shtet sovran dhe se ka të drejtë që ta vë një afat të caktuar për targat e makinave.
“Kosova është shtet sovran dhe ka të drejtë të caktojë një afat për targat e makinave. Zyrtarët perëndimorë janë të shqetësuar se qasja dhe koha e kryeministrit Kurti mund ta përshkallëzojnë konfliktin. Prandaj mendoj se duhet të ketë një rrugë të mesme sa i përket kohës”, u shpreh ai.
Njohësi i politikave për Ballkanin Perëndimor, shprehet i bindur se krejt në fund të këtij procesi Kosova do ta siguroj njohjen nga Serbia, pavarësisht se plani franko-gjerman nuk e parasheh një gjë të tillë.
Tutje, Phillips thotë se Kosova do t’i ruajë kufijtë e saj aktual, pavarësisht tensioneve në veri të vendit.
“Dialogu do të vazhdojë si mjet për zbutjen e konfliktit derisa të arrihet një marrëveshje e plotë dhe përfundimtare ku Serbia do ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktualë”, deklaroi Phillips për tëvë1.info.
Ditë më parë, serbët vendosën t’i braktisin institucionet e Kosovës, për shkak se nuk u pajtuan që të respektojnë vendimin e qeverisë për ndërrimin e targave të makinave. Për më tepër, ata po kërkojnë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./Botapress.info/