[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Pesë gjëra që nuk i dini për Shërbimet Sekrete amerikane



Në çdo dalje publike të Presidentit amerikan, siguria është maksimale. Përreth tij shihen gjithmonë agjentë të shërbimeve sekrete amerikane teksa qëndrojnë të gatshëm në mbrojtje të shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Kjo është detyra që në shohim e shërbimeve sekrete amerikane, që mbron gjithashtu edhe zv.Presidentin dhe familjen e tij, ish-Presidentë dhe udhëheqës shtetesh që vizitojnë Uashingtonin. Por kjo nuk është e gjitha. Shërbimet sekrete kanë një aktivitet të gjerë në mbrojtje të interesave amerikane dhe jo vetëm në sigurinë fizike të udhëheqësve.

Një prej agjencive federale më të vjetra të Shteteve të Bashkuara heton gjithashtu edhe krime që dëmtojnë financat amerikane, përfshirë këtu ato kibernetike. Ka rreth 6500 punonjës, përfshirë agjentë, oficerë dhe mbështetje logjistike me zyra në çdo shtet të federatës.

Këto janë disa nga detyrat e shumta të shërbimeve sekrete, ndërsa më poshtë rendisim pesë gjërat që ndoshta nuk i dinit për për to:

Së parit – Shërbimet sekrete nuk u themeluan për ruajtjen fizike të Presidentit apo udhëheqësve të tjerë të vendit. Ato u ngritën me detyrën parësore dhe të vetme luftimin e falsifikimit të monedhës në fund të Luftës Civile. Në ato vite, një e treta e parave që qarkullonin në ekonominë amerikane ishin të falsifikuara.

“Si për ironi, Presidenti Lincoln firmosi ligjin e krijimit të Shërbimit Sekret pak para se të vritej. Në atë kohë, ky shërbim nuk kishte të bënte me mbrojtjen e Presidentit”, thotë Mickey Nelson, ish-asistent/drejtor i Shërbimit Sekret.

Së dyti – Agjencitë e inteligjencës kanë ende për tagër hetimin e falsifikimit të dollarit dhe i vetmi ndryshim me periudhën kur janë themeluar, është se kanë të drejtë të hetojnë këto aktivitete edhe jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara. Shembulli më i mirë për këtë është sekuestrimi i 30 milionë dollarëve të falsifikuara në nëntor të 2016-s në Peru, në atë që njihet si operacioni më i madh i këtij lloji në historinë e tyre.

Së treti –  Në vitet e fundit të shekullit të 19-të, Shërbimet Sekrete mbronin me raste Presidentin Grover Cleveland. Kjo do të ndryshonte në vitin 1901 pas vrasjes së Presidentit William McKinley, që u bë Presidenti i tretë amerikan i vrarë në 36 vite. Në bazë të kësaj, Kongresi kërkoi angazhimin me kohë të plotë të Shërbimeve Sekrete në mbrojtjen e Presidentëve dhe stafi i parë që i shërbeu këtij qëllimi përbëhej nga vetëm dy agjentë.

Së katërti – Pjesa më e madhe e detyrave për mbrojtjen e Presidentit kryhet disa ditë përpara. Procedura standarde është që dy javë para se Presidenti të vizitojë një vend, të mbajë një takim a një konferencë, qoftë kjo edhe në Uashington, në vendndodhjen e aktivitetit zbarkojnë shërbimet sekrete që ngrenë infrastrukturën dhe ndërtojnë planin e mbrojtjes.

“Njerëzit shohin gjithmonë agjentët që janë pranë Presidentit dhe rrallëherë kuptojnë se për ditë me radhë të tjerë kanë punuar për garantimin e sigurisë”, thotë Nelson.

Së pesti – Kush është sekreti i madh i Shërbimeve Sekrete? “Emri nuk ka të bëjë me intrigat moderne me agjentë sekretë. Në atë kohë kërkohej të luftohej falsifikimi dhe e vetmja mënyrë ishte maskimi i agjentëve. Për këtë, këto shërbime u quajtën “Shërbime Sekrete”, sqaron Nelson.

/ Top Channel