[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Përse u shkërmoq LDK-ja?



Shkruan: Agron Sulshabanaj
Nuk ka kaluar as një javë nga zhvillimi i zgjedhjeve në Kosovë, kur sapo kaloj kufirin në Morinë, shikoj posterat e fushatës, mes tyre edhe dyshen “Osmani-Kurti”. Përtej rezultatit të zgjedhjeve, për të cilin unë i komplimentoj, përveç kësaj nuk më ngjet fotoja. Jo, se në mimikën e tyre nuk gjen jetë e shpresë, përtej nurit të fitores, qofsha ideologjikisht i gabuar, nuk besoj se shkon ekstremi i majtë me qendrën e djathtë.
Respekt për verdiktin e datës 15 shkurt të qytetarëve të Kosovës, shumë respekt për klasën politike për qasjen e tyre gjatë procesit zgjedhor deri me njohjen e rezultatit. Udhëtoj edhe pak kilometra dhe para syve me del posti i kryeministrit në detyrë zotit Hoti, ku përmes fotos shpreh keqardhjen, jo për rezultatin e partisë së tij, pasi këtë rezultat e kam parashikuar në një shkrim të para disa ditëve tek portali “27.al”.
Keqardhje te madhe ndjej edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, për LDK-në e Dr.Rugovës, të Fehmi Aganit, të Nexhat Dacit…, për LDK-në e presidentit Sejdiu, të Anton Qunit, për…., e për shumë e shumë përfaqësues të tjerë të kësaj force demokratike që nga themelimi i saj në kushte pamundësie, e deri në ditët e sotme.
Ndoshta jam subjektiv, por deri pas luftës së UÇK-së, për mua politika në Kosovë ka qënë LDK-ja. Kjo për rolin “Gandh”-esk të Dr. Rugovës e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë pas viteve 90’.
I nderuar zoti Hoti! LDK nuk u shkërmoq me 14 shkurt, kur ti si i mandatuari i kësaj force politike për kryeministër, e ule atë në 13 %, së bashku me presidentin Pacolli.
LDK nuk u shkërmoq as kur u mandatove para disa vitesh për herë të parë për kryeministër, e kryeministër u bë Isa, pasi rezultatin tënd të dobët të atij viti, e riparoi zonja Osmani në tetor të 2019-ës, si askush më parë në LDK pas vdekjes së Rugovës.
LDK nuk u shkërmoq as kur nënkryetari i saj u tregua i zgjuar e shkoi i pari i Gjilanit (i cili gëzon respekt), nuk u shkërmoq as kur i pari i Podujevës u bë homolog me kryetarin e Gjilanit në parti, i cili nuk mbajti përgjegjësi politike kur e humbi Podujevën para disa muajve.
LDK-në nuk e shkërmoqën as politikanët e pasluftës me gjithë diversionet e tyre deri në veprimet ekstreme ndaj LDK-së, nuk u shkërmoq as nga seanca e datës 25 mars 2020 të Kuvendit të Kosovës. LDK-në nuk e shkërmoqi as largimi momental (besoj do rikthehet) i Vjosës, edhe përse përtej largimit të saj që mua s’më pëlqeu, disa nga ju në parti (jo ju) e detyruat, ajo nuk bëri mirë. Shumë shpejt do të rikthehet në familjen e vet politike.
Por i nderuar kryeministër, LDK me syrin tim ka disa vite që është shkërmoqur, ti këtë e di fort mirë, besoj edhe e ke vuajtur, por mos e thuaj ti, se po ta them une se kur u shkërmoq LDK-ja:
LDK-ja u shkërmoq atë ditë të zezë të Kuvendit të saj, kur presidentin Sejdiu e nxorët nga dritarja, kur maskarenjtë e LDK-së kapën hunjtë, shkarkuan Sejdiun e sollën Isën.
Zoti Hoti, ditën e hunjve në Prishtinë (në Kuvendin e LDK-së), duke e përcjellë nga shtëpia ime në Tiranë, ndjeva dhimbje, trishtim, zhgënjim dhe në inkoshiencën time e parashikova 14 shkurtin. Nuk më erdhi mirë që të ngeli ty në dorë.
As marrja e përgjegjësisë nga ana jote e rezultatit, as dorëheqja e Isës nuk e ngushëllon LDK-në. Me sa të kam ndjekur në politikë, ti ke energji, mblidhe Kuvendin, mos prit 60 ditë (sipas statutit), merru vesh me të parin e Gjilanit, Vjosa nuk vjen për momentin, ik në parlament e bëj opozitë dinjitoze, ringrije LDK-në, e në vjeshtë në zgjedhjet lokale minimizoje shkërmoqjen, shëroja plagët, ndaloja hemoragjinë.
Respektoje kryetarin e Kuvendit se president bëhet Ramushi, këte e pohoi pas zgjedhjeve Albini, duke cituar sloganin e tij të kahershëm, e të Ramushit në fushatë për bashkim kombëtar.
E për fund, Albini me Ramushin të rrinë të qetë, se përtej se e kanë mik Ramsin, ai e urren togfjalëshin “Bashkim Kombëtar” e hiç kosovarët nuk i don.
Së fundmi, zoti Hoti, ke një meritë për aq sa ka përgjegjësi qeveria në zgjedhje për mbështetjen dhe zhvillimin e tyre, këtë implementoje edhe në kuvendin e afërm të LDK-së, që të mos përsëritet dita e hunjve, apo cenimi i rezultatit të kuvendit, duke ua garantuar votën delegatëve të kuvendit si themeli i demokracisë.