Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është duke u diskutuar për shkarkimin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, i ka propozuar Lëvizjes Vetëvendosje që të mbajnë një seancë të caktuar vetëm për shkarkimin e të gjitha bordeve të ndërmarrjeve publike përnjëherë.
“Ju propozoj që duke pasur parasysh gjendjen ekonomike të vendit të mos humbisni kohë, thirreni një seancë dhe kurtalisni të gjitha bordet përnjëherë, mos humbni kohë, thirrni dhe i shkarkoni, ta vazhdojmë punën edhe ne. Kosova edhe më herët ka pasë regjime të tilla të egra, në vitet e 80-ta ka ndodhur diferencimin politik, rasti i dyte është dëbimi masiv i shqiptarëve në vendet e punës gjatë viteve të 90-ta si dhe tani në vitin 2020 ku LVV-ja po bën shkarkimin kolektiv të bordeve”.
“Mos humbisni kohë shkarkoni të gjithë në një mbledhje, shikoni si është katandisur Qeveria nuk kanë guxim të vijnë në Kuvend, nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Kuvendit që akoma pa i bërë 100 ditët e para Qeveria të mos i jetë i pranishëm asnjë ministër, tani janë vetëm dy”, ka thënë Musliu.
Krejt pas kësaj, ajo u replikua nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi,i cili i ka thënë se ata janë duke vendosur meritokracinë me shkarkimin e këtyre bordeve si dhe do të vendosin njerëz të kualifikuar.
“Gjendja që u përshkrua nga komisioni për shkarkimin e këtij bordi nuk do koment. Deputetja Ganimete Musliu duhet të rrijë këtu pas fjalimit të saj, e jo të largohet menjëherë. Dua të rikujtojë që fjalimet e Prontos janë dëshmi sesi janë vendosur njerëzit në institucionet vitale pa konkuruar fare, vetëm me njoftim të lidhjeve familjare”, ka thënë Abazi.
Ky i fundit mori një replikë nga Musliu e cila i tha “Për të sqaruar se ne as nuk ikim, as nuk fshehemi. Kamera mund të pozicionohet nga Qeveria dhe shihet se si kanë ikur ata dhe nuk guxojnë të ballafaqohen me asnjë sfidë dhe asnjë problem. Ndërsa, ata që fshihen i kemi në anën e djathtë duke u fshehur edhe shumë herë edhe në zyrat e tyre në Beograd që i kanë”.
Pas kësaj ka reaguar edhe Abazi duke shtuar se “Unë kam qenë drejtor i Fondacionit Rockfeller për gjithë Ballkanin për 11 vjet, dhe zyrën time e kam pasur në New York”, ka thënë Abazi.