[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Përparim Blakaj:”Pafajësia e shqiptarit II”



Mendja e turbullt e cila ulet e vetëm rri në ndenjëset e bukura të Kuvendit të Kosovës nuk përkon asgjë me punën e ndershme të një individi i cili tashmë  e ka vëndosur vetën në shërbimin e popullit. Pas njëfarë kohe, domëthënë, pasi që mendja e turbullt është rehatuar në një nga zyrat lëkurëbukura të kryeqytetit, është ngopur me ushqimin francez të restoranteve dhe llogaria e tij bankare nga rroga dyqind e pesëdhjetë euro është shndërruar në një llogari biznesi,
po i njëjti, diç më shumë se një i ndershëm tanimë vetëquhet politikan i ndershëm. Përse vallë ? Puna ”e rënduar” në zyret e shtrenjta i bëri politikanët tanë biznesmen të suksesshëm,  njerëz me plot gjallëri për të ndryshuar vendin, në gatishmëri të plotë për revolucione në arsim, kulturë, shëndetësi e ekonomi qëkurse vizituan qëndrat botërore. Pashallarët tanë vizitojnë Evropën dhe kthehen nga atje me ide të reja biznesi, nga ballkoni i hotelit me pesë yje në Paris thanë se ekonomia e Kosovës do të rritet, herë thanë për 2% e herë për 5%, më pas, nga puna si profesor i dy fakulteteve, profesor kolegji e përkthyes në qeveri politikani ynë i dashur tha se papunësia do të zbutet, një palë tjetër u zotuan se klani i Millosheviçit në Kosovë do të zhduket përgjithmonë ndërsa pala tjetër po të njëjtin klan me kërshëri e dëgjon pasi shtrëngojnë duart e pajtimit. Diç më tej, Kosova është vend i sigurt për investime thonë, ndërsa edhe qumështin e falsifikojnë, edhe ujin e importojnë, në njërën anë thonë ”blini produkte vendore” në anën tjetër prodhimet vendore janë ngulfatur nga produktet e huaja, konfiskohet sasi e madhe e drogës në kufinj ndërsa ne vajtojmë referendumin në Turqi, gjyqtarët kërcënohen sepse dëshirojnë të dënojnë ”filanin e fistekun” me gjasë farefis i ndonjë ministri, policia nuk merr urdhër për asgjësimin e drogës sepse droga na qenka investim dhe për këtë rast nuk ka detaje për ty dhe mua, lojërat e fatit në çdo skutë të qyteteve janë shndërruar në vende të lutjeve nga të rinjtë tanë e vendet e lutjeve janë bërë arenë lufte mes klanesh fetare e jofetare, ryshfeti është i dënueshëm mirëpo shpeshherë të krijon një vend pune,  e në fund, për qytetarin e katandisur, të ngulfatur, të menjanuar nga e vërteta, të ngopur nga gënjeshtrat, të rrahur me fjalë boshe, të tronditur me krime e të internuar nga sistemi nuk është e rëndësishme e ardhmja e tij sa është e rëndësishme jeta private e Rita Ora-s.

Unë gjendjen e shtetit tim e pashë kështu, shkurtimisht kështu e ndjeva.
Nëse ti e di ndryshe, më bind dhe mua, nëse nuk e di ndryshe, mos kundërshto.

Unë,  refugjat në shtetin tim!
Graniti ka lindur në qytetin e Istogut dhe tanimë është njëzet vjeqar. Studion në Prishtinë dhe ”nuk është shqiptar i mirë sepse pëlqen të shpreh të vërtetën në çdo kohë dhe kundër çdokujt qoftë”. Shkollën fillore e përfundoi në një gjendje mjerimi, familja e tij e sapodalë nga lufta u detyrua të punonte çkado që të siguronte të ardhmen për djalin e tyre të vetëm. Shkolla fillore me ndalesa e me përpjekje të mëdha kunddrejt varfërisë përfundoi me sukses të lartë. Shkolla e mesme, udhëtimi i largët nga shtëpia e tij e vështirësoi shumë shkollimin e tij, neveria për sistemin shkollor e detyroi atë të fillonte punën në një nga kafiteritë e qytetit. Ëndrra e tij ishte të luante futboll profesionist. Më kujtohet njëherë, me dhemb shpirti kur e kujtoj, për të paguar një termin futbolli në fushën e qytetit duhet të paguanim nga dy euro secili dhe ai nuk kishte, ndonjëherë ia paguante dikush e ndonjëherë ia dilte mbanë duke e lënë ushqimin dhe paguante lojën e futbollit, por ta linte atë, asesi. Ishte ëndrra e tij.

Puna në kafiterinë e qytetin nuk zgjati shumë, pas një problemi ai u largua nga puna si kamarier dhe vendosi të konkuronte në klubin futbollistik të qytetit. Klubi nuk u tregua shumë miqësor, kërkoi nga ai të paguante. Paramendoni, të paguante për talentin e jo të paguhej për kontributin e tij. I zbrazët nga shpirti, vendos të dilte në ndonjë shtet tjetër. Udhët për në Evropën e pasur ekonomikisht u hapën në verën e atij vitit, përmes një personi ai vendos të depërtonte drejt Gjermanisë duke shfrytëzuar Hungarinë. Fatkeqësisht, talenti i futbollit, nxënësi shembullor i shkollës fillore dhe të mesme u ndalua në kufi me Hungarinë, u rrah me fjalë e me ”stupc nga milici” dhe u kthye në Kosovë, shtetin e tij.

Të gjitha skutat e Prishtinës i provoi, nga një lagje në lagjen tjetër duke kërkuar punë vetëm e vetëm, që ta përfundonte fakultetin që mezi  e kishte filluar. Dëgjoi edhe për një konkurs policie, nuk ia doli të futej edhe pse të gjitha testet i kishte kaluar, punën në Call Center – Anglisht(gjuhë që e zotëronte veç gjuhës shqipe dhe gjermane) nuk mund ta mbante sepse shefi nuk e paguante as sa për shpenzime mujore, FSK-ja e cila hapi konkurs për ushtarë të rinj ndërsa pasi kaloi testet atij i thuhet se: ”Nëse ke njerëz me ndikim, do pranohesh”.
Çfarë të bënte tjetër veç të dorëzohej, i shkreti, u bë refugjat në shtetin e tij.

UNË JAM GRANITI, TI JE, AI/AJO ËSHTË, NE/JU/TË GJITHË JEMI!

Reflekto, mos ik nga problemet. Mos u mllefos kur të drejtohem si njeri i mashtruar, ti je i mashtruar, je i shtypur, je i përsekutuar. Gjendja e Granitit është pasqyra jonë. Më në fund, në kohën e lirisë, në kohën e barazisë, në kohën e demokracisë, në kohën e të drejtave të fëmijëve, në kohën e të drejtave të grave e të burrave, u përpoqëm, vërtet u përpoqemi vetëm të përpiqemi për të ardhmen, ta bëjmë atë të ndritur por, ky vend vazhdon pranimin e  ryshfetit për një punë të mjerë, pranon shitjen e drogës në shkollat fillore e të mesme që janë shndërruar në tempuj të drogës e  ky popull i mashtruar merr mësim nga çdokush për të qenë objekt tallje.

Qetësi në shtetin tim!
Ti, vazhdo të flesh por unë do të bëhem si alarm i së vërtetës.
Çdo ditë, çdo orë, çdo çast do më keni përballë të  ua përplas të vërtetën për fytyre.

 


Prishtinë, 11.02.2017.