[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

‘Përleshja’ Cozman – Noizy nuk ka përfunduar ende



Cozman në Prokurori për Incidentin me Noizy-n.

Reperi kosovar, Ylber Abdullahu i njohur si Cozman ka dalë sot para prokurorisë për t’u përgjigjur për incidentin e vitit të kaluar në qendër të Prishtinës.

Abdullahu është i dyshuar për pjesëmarrje në rrahjen e cila ndodhi më 13 shtator të vitit të kaluar mes dy grupeve atë OTR nga Shqipëria dhe Baba Stars nga Kosova.

Avokati i tij, Asdren Hoxha e ka konfirmuar për KALLXO.com marrjen në pyetje të Ylber Abdullahut. Ai tha se klienti i tij e ka mohuar dyshimet e ngritura ndaj tij.

“Po ju konfirmoj se sot është ftuar nga prokuroria për marrje në pyetje. E ka deponu deklaratën edhe e ka mohu akuzën, faza është ende nën hetime. Ende nuk ka ngritje të ndonjë aktakuze. Varet nga prokuroria mbas dëgjimit të sotëm se si do të vepron”, tha Hoxha.

Ai shtoi se pret mbyllje të hetimeve pasi që, sipas tij, nuk ka prova për dyshimet ndaj të mbrojturit të tij.

“Unë sinqerisht pres me u pushu hetimi. Nuk ka prova që ka ndërmarrë ndonjë veprim të kundërligjshëm. Dyshohet vetëm për vepër penale të pjesëmarrjes në rrahje. Aty ka të tjerë të cilët dyshohen për tentim vrasje edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe lëndime trupore”, shtoi më tutje Hoxha.

Avokati tha se Cozman nuk ka rrahur askënd.

“Realisht, ai është rrahur nga të tjerët”, tha Asdren Hoxha.

Cozman dyshohet se mbrëmjen e 13 shtatorit të vitit të kaluar ka qenë pjesë e një rrahjeje e cila kishte ndodhur në oborr të hotelit “Sëiss Diamond” si pjesë e një grupi të cilët u përleshën me grupin rival të reperit nga Shqipëria, Rigels Rajku (Noizy).