[responsive-menu menu="logged-in-menu"]

Për Ramushin vendoset javën e ardhshme!



Javën e ardhme gjykata franceze në Colmare pritet të vendosë nëse Ramush Haradinaj ekstradohet në Beograd, ose kthehet në Kosovë. Avokati, Arianit Koci, thotë se dosja e Serbisë e dërguar dje në gjykatë është e sajuar, ndërsa shprehet optimist se kryetari i AAK-së javën tjetër kthehet në Kosovë, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Pas një jave, respektivisht më 9 shkurt, gjykata franceze në Colmare pritet ta japë vendimin final për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u ndalua para rreth një muaji në aeroportin Basell-Mulhouse me një urdhërarrest të lëshuar nga Serbia.

Javën e ardhme kjo gjykatë vendos nëse Haradinaj ekstradohet në Beograd, pas dorëzimit të dosjes që Serbia bëri gjatë seancës së djeshme, ose të kthehet në Kosovë.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe avokati i Haradinajt, Arianit Koci, i cili ka njoftuar se seanca mbahet pas një jave, me ç’rast u shpreh optimist për lirimin e të parit të AAK-së, shkruan Zëri.

Nga ana tjetër, juristët në Kosovë kanë vlerësuar se ekstradimi i tij nuk do të ndodhë assesi, pasi arrestimi i Haradinajt, sipas tyre, është tërësisht ilegal.

Kurse, përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë cilësuar si politik arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës.