Prej rreth dy orësh, Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë. Njësitë e specializuara, në mesin e tyre ajo Anti-terrorizëm po vazhdojnë të mbajnë larg këtij tereni qytetarët të cilët më parë gjendeshin tek stacioni i autobusëve.
Në vendin e ngjarjes përpos policisë janë edhe zjarrfikësit dhe ata nga Emergjenca.
Ndryshe të gjitha veturat të cilat duan të kalojnë nga kjo anë janë duke u kontrolluar nga zyrtarët policorë.
Lajmi.net ka raportuar lidhur me ngjarjen e sotme, ndërsa nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se rreth orës 14:00 kanë pranuar një thirrje anonime ku është raportuar për një mjet të dyshimtë shpërthyes.
Tutje është thënë se personi që ka telefonuar, deklaroi se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacion.
“Rreth orës 14:00, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”./Lajmi.net/