Aktori Çun Lajçi ka përkujtuar sot mikun e tij Llukman Halilin, i cili ishte gazetar shumëvjeçar. Aktori Lajçi i është drejtuar gazetarit të ndjerë me një letër prekëse derisa ka postuar edhe një fotografi.
Postimi i plotë:
Llukman i Tërnovcit
Kur ti mendove se t’harrova, kur iu ba shumë heshtjes nji vjeçe, kur u harruen ardhjet e mia të miku yt-i imi, Haqifi, ja po t’shkruej nga këtej, ku krymbemi virusesh e vdesim çdo natë, si n’mortajen e viteve që s’e mbajmë mend!
T’kam lanë me pushua lum miku, (s’kam harrua) se ishe i lodhun ditëve t’fundit. Njiherë t’molisi rruga Cyrih-Zagreb tue doktorua e mandej tue lypë ilaçin për smundjen që po t’brente n’heshtje!
Kur ti po i mblidhje fiet e jetës, dikund n’spitalet e Helvetikës, unë po i numëroja hapat n’balkonin 5 metërsh n’Dardani, i mbyllun n’karantinë. E kisha marrë vesh nga Haqifi, se ty tu kishin harxhua ditët e po baheshe gati me ua falë përgjithmonë shikimin djalit e vajzes e grues, që t’ruejtën të kryet, e kurrë zemrën s’ta thartuen!
Për lamtumiren s’na lanë kufijtë e mbyllun, e për ardhjen të varri po e pres Haqifin me m’thirrë. Por ti e din si asht ai. Sot thot po, e nesër s’e din as vet se ku asht: Sangallë apo Bazel!
Llukman i Tërnovcit.
Nëse vi me Dashnimin, prap s’ke me mujt m’u idhnu, se kemi me t’çua të Zeneli i Medvegjes me festua ditën e flamurit. Ti ke me vallzua me Dashnimin e unë kam me shitë libra!
Por nëse vi vetëm kam me t’kallxua për Ramush Tahirin, shokun e studimeve që vdiq kësaj vere e për hallakamën e qeverisë së shpresës, që u zverdhua pa ra bryma vjeshtore.
Ti mendove se t’harrova, por ja që unë po bahem gati me nji çantë Kopilana me t’ardhë të koka, e me t’kallxua se kush ishte kopil e kush stërkopil, sepse shumë herë m’the: Hiqu, mos u merr me këta që shitjen e kanë ushqim!