Mihal Grameno, Papa Kristo Negovani, Tefta Tashko, Hafiz Ali Korça, Pandeli Evangjeli, Gjergj, Gjerasim e Parashqevi Qirjazi, Thimi Mitko e Andon Zakon Çajupi nuk jetojnë më në Korçë. Ata kanë ndërruar jetë këtu e një shekull më parë ndërkaq veprimtaria e tyre mësohet “me zor” e me plot përtesë nga nxënësit shqiptar këndej e andej kufirit shqiptaro-shqiptar.
Në Korçë sot frymon një realitet krejt tjetër shoqëror e politik. është realitet tjetër, është ndryshe nga realiteti në Skenderaj të Kosovës, por është pasqyra e vërtetë e Korçës. Dhe si të tillë duhet ta trajtojmë Korçën nëse duam ta pranojmë si qytet tonin shqiptar me kulturë e traditë të lashtë shqiptare.
Çdo përpjekje për të imponuar një vullnet tjetër politik e kulturor në Korçë është sa i kotë aq edhe i dëmshëm.
Korçarët e duan Bregoviçin dhe s’ke çka i bën. Duhet të pajtohemi me “shijen muzikore” të korçarëve që nuk janë vetëm ata. Janë tiranasit, durrsakët, shëngjinasit, sarandasit etj që e dëgjojnë dhe e pëlqejnë Cecën e pse jo edhe Bregoviçin!
Fundja u pa qartë se sa “korçarë” protestuan kundër koncertit të Bregoviçit! E asnjë protestues kundër Cecës as në Durrës, as në Shëngjin!
Por tendenca për ta ndryshuar (madje edhe me dhunë, duke hedhur shishe të zbrazta në koncertin eventual të Bregoviçit) dhe për ta imponuar “atdhedashurinë” për kombin “kosovar” apo për Kosovën është e kotë dhe marroçe!
Aq më qesharake janë britmat e “kosovarëve” nga Skenderaj, Llapi, Gjilani apo Gjylekari!!!
Dhe kush po do që korçarët të bëhen patriotë shqiptarë si “kosovarët” e Muçivercës, Muqibabës, Neprebishtit apo të Llukarit?
Lerëni korçarët le të “dehen” me birra të Korçës e me tingujt e zërit të shtjerrur të Bregoviçit. Një ditë edhe ata do të “çpihen” me dehjet e melosit sllav, siç na ka “dalë pija” edhe neve “kosovarëve” për disa dekada prej “vllaznim-bashkimit” jugosllav.
Tash, kur ne jemi “esëël” nga jugosllavizmi, na tingëllon e vrazhdë shija e korçarëve për muzikën e Bregoviçit.
Prandaj mbylllni veshtë gjatë koncertit të Bregoviçit në Korçë, por mos e shani Korçën, mos ua impononi korçarëve shijen folklorike “kuq e zi” nga Kosova me flamur “lara-lara” se hiq më të mirë nuk kemi qenë as ne, e hiq më patritotë se korçarët nuk jemi as sot.
Kur korçarët kanë patur rastin t’i dëgjojnë këngët dhe zërin e Tefta Tashkos, ne kosovarët kemi ndëgju “krahina boshnjake të Mujit e Halilit” nëpër oda plot me tym e djersë të këmishave me zdral djerse.
Bregoviçi nuk është vlerë për korçarët, por ja që ata po e duan, së paku njëherë ta dëgjojnë?!
E çka tash, të shpallim “luftë” me korçarët apo t’i mbyllim veshtë kur këndon Bregoviçi!
Zgjidhja e dytë është më e mirë, ndërkaq patriotizmi me batëri i kosovarëve “lara-lara” është sa bajat aq edhe i mërzitshëm!
Bile edhe i rrezikshëm për kombin shqiptar!