Një person ka vjedhur sot disa produkte medicinale, në një barnatore në Prishtinë. Bëhet e ditur se vlera e mallit të vjedhur është mbi 50 euro.
Nuk janë të pakta rastet kur barnatoret janë cak i hajnave. Shumë herë përveç që atyre u janë vjedhur produkte medicinale, atyre u është vjedhur edhe para. Gjatë ditës së sotme në Prishtinë, konkretisht tek lagja ‘Kodra e Diellit’, një person ka vjedhur në një barnatore disa produkte.
Pronarja e barnatores së njohur në kryeqytet ka dërguar pamjet në Metro nga kjo vjedhje. Sipas saj vlera e dëmit është mbi 50 euro.
Kujtojmë që edhe dje Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK), ka reaguar për një rast të plaçkitje së barnatores “Bon Pharm” në Gjilan.
OFK është shprehur e shqetësuar me këto raste të vjedhjes, ku edhe ka ftuar organet kompetente në zbardhjen e rasteve.
“Sulmet e tilla që kanë ndodhur na prekin të gjithëve pasi që tashmë janë bërë si dukuri, e gjitha kjo si edhe disa raste më herët për të cilat ka reaguar OFK, po ndodh në kohën e pandemisë COVID 19 kur puna e barnatoreve dhe e farmacistëve si vijë e parë e frontit në përballje me COVID 19 është e pandërprerë në ndihmë qytetarëve të Kosovës. Oda e Farmacisteve te Kosovës shpreh keqardhje për këtë rast, shpresojmë që raste të tilla të mos përsëriten më asnjëherë. Në të njëjtën kohë OFK fton organet kompetente te ndjekjes, të jenë më vigjilente dhe efikase në trajtimin e këtyre rasteve”, thuhej në reagimin e tyre. /Botapress/