Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë që u miratua javën e kaluar.
PDK dhe LDK e kishin dërguar në Kushtetuese këtë ligj edhe në vitin 2023. Kjo e fundit e pati gjetur si ligj anti-kushtetues dhe i pati dhënë kohë sponzorizuesit të ligjit që ta ndryshoj atë e pastaj ta dërgoj në Kuvend.
Por, edhe sipas këtyre dy partive edhe sipas reagimeve të shoqërisë civile e Zyrës së BE-së në Kosovë, ky ligj nuk i ka adresuar shkeljet e mëparshme.
E plotë:
Ashtu siç kemi paralajmëruar muaj më parë, sot e dërguam në Gjykatën Kushtetuese ligjin që shumica parlamentare e miratoi javën e kaluar dhe me të cilin ndryshohet dhe plotësohet Ligji në fuqi për Zyrtarët Publik.
Sikurse, këtë të fundit, kur dy vite më parë e dërguam në gjykatë, ashtu edhe tani ndryshim-plotësimin e tij, e kemi dërguar për të pamundësuar politizimin e partizimin e administratës publike dhe për të parandaluar degradimin e sistemit të meritokracisë, karrierës dhe pavarësisë së administratës, detyrë e të cilës është ti shërbej me zell e profesionalizëm të gjithë qytetarëve pa dallim, e mos të kthehet si instrument politik i pushtetit.
Kjo, administratë e këta zyrtarë publikë, janë investim afatgjatë i shtetit dhe i partnerëve tanë dhe nuk do të lejojmë që ti nënshtrohen presioneve e agjendave politike.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i verës së vitit 2023, i konfirmoi në tërësi pretendimet tona, ndërsa Kuvendi me këtë rast, ishte i obliguar që brenda gjashtë muajsh ti adresoj të gjitha shkeljet.
Sot, rreth një vit e gjysmë pas, jo vetëm që dështuan ta përgatisin më kohë ligjin e ri, por akoma më keq, i përseritën një pjesë të shkeljeve në të njëjtën mënyrë.
Prandaj, kontestimi i këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese nuk është rastësi dhe paraqet, njëkohësisht, edhe një dëshmi të angazhimit tonë konsistent për mbrojtjen e vlerave dhe rendit kushtetues.