Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, kishte refuzuar projektin e gazsjellësit amerikan. Muaj më parë, vartësja e Kurtit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ishte deklaruar se qeveria nuk do të çojë përpara projektin për lidhjen me një gazsjellës ekzistues, një projekt i propozuar nga Korporata amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC). Por tashmë siç duket Kurti kishte një plan me norvegjezët, sot ai në vizitën që është duke zhvilluar në këtë vend po kërkon ndihmën e tyre në energji.
Tashmë projekti për gazsjellësi amerikan është i vdekur në Kosovë, kështu ka mësuar Gazeta Metro nga burimet diplomatike në Prishtinë.
Rrjedhimisht, Kosova mund të përfundojë e vetmja në rajon pa qasje në gaz.Por si duket refuzimi i gazsjellësit amerikan ka qenë i planifikuar, pasi Kurti sheh aleancë të një shtet tjetër, ai Norvegjez.
Kurti gjendet për vizitë në Norvegji, ndërsa ka zhvilluar një takim edhe me ministrin norvegjez të Energjisë dhe Naftës, Terje Aasland.
Ka qenë vetë kryeministri Kurti i cili ka bërë të ditur se është takuar me Aasland dhe e ka ftuar atë për të eksploruar rreth mundësisë së investimeve, pas hapjes së strategjisë së re për energji.
“Përderisa hapim strategjinë e re për energjinë për dekadën e ardhshme, unë e ftova atë të eksplorojë mundësitë e investimeve në Kosovë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Me 30 shtator 2021, Qeveria Kurti kishte refuzuar projektin për gazsjellësin dhe kishte vendosur që të mos ta qonte përpara këtë projekt. Ky projekt i gazsjellësit ishte i përkrahur dhe financuar nga MCC.
Ndryshe, Institucionet evropiane mbështesin Gazsjellësin Trans-Adriatik pasi e shohin atë si një mundësi reale për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar me gaz tregjet evropiane, që kryesisht dominohen nga gazi rus.
Gazsjellësi TAP në të ardhmen pritet të furnizojë me gaz natyror edhe shtetet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, që tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë për ndërtimin e një objekti grumbullues të gazit.
Më vonë, Shqipëria pritet të kyçet, vend që tashmë ka kryer studimet e fizibilitetit dhe po punon në ndërtimin e rrjetit të gazit brenda shtetit.
Pas shtrirjes së gypave të gazit në Maqedoni të Veriut, qeveritë e kaluara në Kosovë kishin planifikuar që të ndërtonin rrjetin e gazsjellësit për t’u lidhur me këtë shtet.
Kjo do t’i mundësonte Kosovës që të blinte sasi të gazit në të ardhmen nga Gazsjellësi Trans-Adriatik./Botapress.info/